Aplikacion
Milan zhgënjen në Serie A, pasi pësoi disfatë 4-2 ndaj Monzës. Vendasit treguan karakter në pjesën e parë, duke vendosur disa herë në vështirësi portën e Maignan.
Djemtë e Palladinos morën epërsinë në minutën e 45-të, me anë të Pessinas, me këtë të fundit që ekzekutoi saktë një penallti, të shkaktuar nga Thiaw.
Kuqezinjtë, të befasuar, pësuan edhe golin e dytë brenda fraksionit. Një gjuajtje e bukur e Dany Motas kaloi pas shpinës së Maignan.
Gjërat u komplikuan për Milanin në fillimin e pjesës së dytë, pasi Jovic u ndëshkua me karton të kuq.
Gjithsesi, djemtë e Piolit barazuan me Giroud dhe Pulisic. Atëherë kur pritej që ndeshja të përfundonte, Monza fitoi falë golave të Bondo dhe Colombo.
Stefano Pioli kishte bërë një rotacion të ndjeshëm në këtë sfidë duke lënë pushim disa titullarë të rëndësishëm, ndërsa Monza i befasoi në pjesën e parë me dy gola në fund.
“Është një humbje që na bën me të vërtetë keq, për mënyrën se si erdhi. Ishte një mbrëmje ku gjithçka shkoi ters, ku gabuam shumë. Europa League shansi i vetëm për të shpëtuar sezonin? Të dy turnetë duhet të jenë motivim për ne”, theksoi ndër të tjera Pioli. /ZOOM.AL/