zoom

Ekonomi

“Mezi po jetojmë”, rritja e çmimeve ua vështirëson jetën qytetarëve në Kosovë

Çmimi i produkteve ushqimore ka vazhduar të rritet për çdo ditë në Kosovë. Kjo ka ndikuar që qytetarët të ankohen se nuk po mund të ia dalin. Qeveria ditë më parë ka marrë vendim që të ndaj nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistet.

Rritja e vazhdueshme çmimeve të produkteve ushqimore ka rënduar jetën e qytetarëve të Kosovës.

Shumë prej tyre ankohen se me pagat që marrin e kanë të vështirë të mbulojnë nevojat më elementare për jetë.

Në tavolinat e tyre shpesh mungon edhe buka.

“Në krahasim me jetën qysh janë pagat e pensionet e ulëta shumë janë çmimet e larta, edhe kjo po shkon në trend, veç po rriten. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë”, ka treguar Agroni një qytetar nga Prishtina.

Kurse, Idriz Ahmeti qytetar nga Fushë Kosova, tregon se nuk po mund t’ia dali nga rritja e çmimeve.

“Boll janë rrit çmimet, tepër. Shtir e kanë boll, shtir e kanë boll po çka me ba duhet me vazhdu”.

Ndërkaq, Dritoni thotë tani janë edhe më keq, pasi sipas tij çmimet veç janë rritur.

“Tash jemi edhe më keq, se çmimet janë rritur shumë”.

Përfaqësuesi i organizatës ‘’Konsumatori’’ Selatin Kaçaniku, thotë se në tregun e Kosovës vërehet një tendencë e vazhdueshme për manipulim të çmimeve nga tregtarët.

“Nuk do e veçoja se kemi ngritje te çmimeve vetëm në kuadër të festave, kemi tregti të shkathet, qe na e kanë mundësua që të gjitha 365 ditët të i kemi festa, të ashtu quajtura aksione, të ashtu quajtura, të premte të bardha, të zeza, të larme. Nga të gjitha legjislaturat qeveritare, kemi marr përgjigjeje se tregu është dhe na qenka rregullator i çmimeve… deri sa të vazhdojë ky tabllek, do ta them gjithmonë se ne për fat të keq nuk kemi treg të lirë, nuk kemi treg vendor, nuk kemi rregullativ të ashtu quajtura treg, pra nuk kemi treg që është rregullator çmimesh… ne jemi fajtor për problemet me çmimet, sepse nuk lejojmë që të krijohet rregullator që quhet treg”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka treguar se rritja e çmimeve në treg është pasojë e çmimit të lartë të importit të mallrave.

“Në disa raste, importuesit tanë po janë të varur edhe mallit që po e blejnë jashtë ose lëndës së parë ose gjysmën produkti, ku inflacioni e ka ba të vetën, ata e blejnë me çmim ma të shtrenjte, andaj do duhet edhe ta shesin ma shtrenjtë, mirëpo nuk kemi pas ndonjë ankes që ka një rritje të pa arsyeshme”.

Sipas agjencisë së statistikave të Kosovës, krahasuar me muajin nëntor të vitit të kaluar, çmimet janë rritur për 2,9 %.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tek: pemët (19,4%), perimet (16,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (10,8 %), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (7,7%), prodhimet ushqimore (7,0%), pijet alkoolike, duhani (5,9%), buka dhe drithërat (3,5%), dhe mishi (1,2%)”.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndahen shtesat prej 100 euro për të gjithë fëmijët. Po kaq para edhe për pensionistët.

Fëmijët dhe pensionistët do të marrin nga 100 euro shtesë këtë fundvit, ka bërë me dije kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Besoj ju kujtohet premtimi që çdo vit secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro”.

Teksa në Kosovë çmimet po ngritën vazhdimisht, në disa vende evropiane është shënuar ulje e çmimeve. Sipas të dhënave zyrtar të Gjermanisë, në këtë shtet në muajin nëntor çmimet janë ulur për 3.6%.

Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane janë se shkalla e inflacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor do jetë 3 për qind në vitin 2024.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, parashikon që Kosova ta përmbyllë vitin 2023 me normë mesatare inflacioni 5.4 për qind.

Në janar të këtij viti, derisa ka qenë në krye të BQK-së, Mehemti ka parashikuar rënie të inflacionit deri në 6 për qind në gjashtëmujorin e dytë të 2023-shit.

“Pritjet janë që në vitin e ardhshëm [2024] inflacioni vjetor, përafërsisht, të jetë rreth 3.6 për qind. Vetëm në vitin 2025 presim të kemi një inflacion prej 2 për qind”.
Sipas tij, energjia elektrike është një ndër produktet që është shtrenjtuar më së shumti dhe efekti, pastaj, ka qenë zinxhir.

“Ne te gjithë jemi familjarë dhe e dimë se çfarë kemi blerë me 100 euro para pandemisë… tani duhet shumë më shumë para për ta mbushur shportën e konsumit. Kemi inflacion më të lartë te produktet bazike”.

Duhet kujtuar se çmimet, vitin e kaluar, kanë marrë hov kryesisht nga çmimet globale të energjisë. Analiza të ndryshme thonë se ato do të bien – jo sa kanë qenë para pushtimit rus të Ukrainës – por se çdo rënie e çmimeve të energjisë do të marrë kohë për t’u vërejtur në ekonominë e gjerë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në vend sillet në më pak se 12 për qind. Të dhënat e publikuara nga ASK-ja në fund të shtatorit treguan se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në Kosovë u nda për blerjen e artikujve ushqimorë. Sipas ASK-së, familjet në Kosovë shpenzuan rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim./ Monitor