zoom

Lajme

“Air Albania” e lë në aeroport, Ilir Meta: Të paktën mos gënjeni dhe ndryshojani emrin!

Teksa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zbuluar se ditën e djeshme ka humbur një fluturim për të një anulimi pa paralajmërim nga “Air Albania”, ka reaguar me një postim të detajuar, ku kërkon masa konkrete.

Në postimin në rrjetet sociale, ish-presidenti ka ndarë me ndjekësit se një shqetësim i tillë nuk ishte vetëm i tij, por se ka takuar shumë qytetarë që kishin pasur të njëjtat probleme.

Një nga qytetaret i rrëfeu se një gjë e tillë i kishte ndodhur pesë herë. Meta shkroi se Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj përpara qytetarëve në mënyrë transparente, duke lënë pas justifikimet boshe.

Postimi i plotë:

“Air Albania nuk duhet të vazhdojë më kështu!

Mbrëmë më qëlloi të humbisja fluturimin nga Stambolli në Tiranë për shkak se Air Albania anulloi fluturimin pa paralajmërim në kohën e duhur!

Jo vetëm kaq por u desh të insistonim bashkë me ish-Ministrin e Jashtëm Prof. Edmond Panaritin që të merrnin përsipër akomodimin në hotel për më tepër që mikpritësit tanë në Baku i kishin paguar biletat tona në business.

Ndërkohë sot ne avion takuam shumë qytetarë të revoltuar se disa prej tyre kishin fjetur në aeroport dhe e kishin rast të përsëritur.

Ndërsa një zonjë që jetonte në Kaliforni edhe pse i kishin zgjidhur akomodimin në hotel tha se kjo ishte hera e pestë që i ndodhte me Air Albania dhe s’kishte më ndërmend ta provonte këtë torturë.

Për mua personalisht është hera e dytë por Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj përpara qytetarëve në mënyrë transparente se justifikimet që zogjtë kanë sulmuar motorët nuk shkojnë më.

Ose të paktën t’i ndryshojë emrin kompanisë!”. /ZOOM.AL/