Aplikacion
Pas një izolimi 20-ditor në paraburgim, Ilir Meta, Presidenti i Partisë së Lirisë, ka treguar përmes një postimi në Facebook se sot më në fund është lejuar të takojë dy vajzat dhe motrën e tij.
“U emocionova, por edhe u mërzita. Në dhomën e takimit mungonte djali im”, shkruan Meta, duke shprehur një ndjesi të përzier për këtë takim të vonuar me pjesë të familjes së tij.
Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, pas një urdhri të lëshuar nga SPAK, dhe sipas tij, përveç kufizimeve fizike, tani është vendosur edhe një izolim i qëllimshëm ndaj zërit dhe fjalës së tij publike.
Për këtë arsye, ai paralajmëron një formë të re komunikimi me publikun: letrat e hapura. Personazhi i parë që do t’i drejtohet me një letër të tillë është ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati dhe nën hetim nga drejtësia shqiptare.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Sot u thirra sërish para një Komisioni Disiplinor, si gjyq ushtarak, për një gabim “shumë të rëndë”: Dje dhashë një intervistë në mesditë për gazetaren Aida Tancica në MCN TV, nga telefoni i Avokatit tim, Kujtim Cakrani.
Kur herën e parë fola me gazetaren Beti Njuma, më thanë ke shkelur rregulloren se ke folur pas orës 20:00, ndërkohë sot u thirra nga “Disiplina” për arsyen e vërtetë, se nuk duan të komunikoj me gazetarët.
Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe lirinë e fjalës.
Nuk mbaron me kaq.
Po sot, më në fund pas 20 ditësh, më lanë të takohesha me motrën dhe dy nga tre fëmijët. U mërzita fillimisht kur në takim pashë vetëm motrën dhe dy vajzat, por jo djalin.
Më sqaruan se Besi po priste jashtë se rregullorja nuk lejon më shumë se 3 veta në takim, kur ndërkohë gjatë 8 muajve, në një takim në javë që kam bërë me familjarët, siç do i paraburgosur tjetër, i kam takuar të 4-ët bashkë.
Në këto kushte, kur masat represive përforcohen çdo ditë me “risi”, kam vendosur të realizoj një formë të re komunikimi me publikun, me letra të hapura.
Nesër, letra e parë e hapur, do të jetë për Z. Arben Ahmetaj.