Aplikacion
Një mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer” në Tiranë është larguar nga detyra, pasi u konstatua se kishte zhvilluar përmbajtje me karakter fetar gjatë orëve mësimore, në kundërshtim me parimin e arsimit laik.
Rasti u bë publik pas shqetësimeve të ngritura nga prindër të nxënësve të një klase të katërt, të cilët denoncuan se gjatë mësimit ishin përdorur materiale që lidhen me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait.
Sipas tyre, nxënësve u ishin shfaqur video me tematikë fetare dhe u ishin dhënë detyra që lidhen me urdhëresat e Zotit.
“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit për Top Channel.
“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, tregojnë prindërit nga ana tjetër.
Pas ankesave, drejtoria e shkollës ngriti një komision disiplinor për verifikimin e rastit. Në përfundim të shqyrtimit, u vendos masa e pushimit nga puna për mësuesin, me argumentin se kishte shkelur rregulloren dhe legjislacionin që përcakton neutralitetin fetar në institucionet arsimore publike.