Aplikacion
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Amerikës me vizë turistike për të sjellë në jetë fëmijët e tyre.
Në njoftimin e publikuar, ambasada bën të ditur se prindërit që përdorin këtë kategori vize për të lindur në SHBA dhe përfitojnë nga programet publike amerikane për mbulimin e shpenzimeve mjekësore, mund të përballen me pasoja gjatë aplikimeve të ardhshme për vizë.
Sipas autoriteteve amerikane, një pjesë e qytetarëve shqiptarë kanë përdorur programin Medicaid për të financuar shërbimet shëndetësore gjatë lindjes. Kostoja e këtyre shërbimeve mbulohet nga fondet publike amerikane, duke rënduar mbi taksapaguesit e vendit.
“Shumë prindër shqiptarë me viza turistike udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me qëllim për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar kujdesin mjekësor. Këto shpenzime u kalojnë taksapaguesve amerikanë, dhe ata prindër mund të mos kenë të drejtë t’i rinovojnë vizat e tyre në të ardhmen”, thekson Ambasada Amerikane në njoftimin zyrtar.
Ambasada rikujton gjithashtu se viza turistike jepet për qëllime të përkohshme, si turizmi apo vizitat private, dhe nuk duhet të përdoret në mënyrë që bie ndesh me arsyen e deklaruar gjatë aplikimit./ Zoom.al