Aplikacion
E ardhmja e Igli Tares te Milani duket se ka marrë fund. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, drejtori sportiv shqiptar do të largohet nga klubi kuqezi në përfundim të këtij sezoni.
Raportohet se mes palëve kanë mbetur vetëm procedurat zyrtare për mbylljen e bashkëpunimit, i cili zgjati vetëm një vit. Marrëdhëniet mes Igli Tare dhe drejtuesve të AC Milan janë përkeqësuar prej muajsh, ndërsa rezultatet jo bindëse të skuadrës dhe lëvizjet në merkaton e verës së kaluar kanë ndikuar në këtë vendim.
Projekti i nisur me shumë entuziazëm nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e klubit dhe tifozëve, duke krijuar tensione në kampin kuqezi.
Ndërkohë, në “San Siro” priten ndryshime të tjera të rëndësishme. Në dyshim mbetet edhe e ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri, për të cilin drejtuesit do të vendosin vetëm pas analizës së plotë në fund të sezonit./ Zoom.al