zoom

Aktualitet

Media italiane: Shqiptarët fitojnë autonomi në krimin e organizuar, po barazohet me “Ndranghetan”

Media italiane: Shqiptarët fitojnë autonomi në krimin e organizuar, po barazohet me “Ndranghetan”

Media italiane ANSA ka publikuar detaje nga raporti i Komisionit të VI Rajonal Antimafia në Itali, i cili evidenton forcimin e organizatave kriminale në rajonin e Ligurias dhe rritjen e rolit të mafies shqiptare.

Raporti, i prezantuar nga Andrea Orlando, thekson se ‘Ndrangheta vijon të ketë kontroll të fortë, por paralelisht po rritet autonomia dhe ndikimi i grupeve kriminale shqiptare.

“Në vendin tonë ka një prani të organizatave kryesore kriminale, me ‘Ndranghetën që mban një kontroll shumë të fortë, dhe pastaj ka disa zhvillime të reja, siç është roli dhe autonomia në rritje e mafies shqiptare, e cila po bëhet një prani gjithnjë e më e rëndësishme dhe e vazhdueshme”, u shpreh Orlando.

Sipas raportit, aktivitetet kriminale janë të lidhura kryesisht me trafikun e drogës përmes porteve dhe përpjekjet për të futur të ardhurat ilegale në ekonominë ligjore.

“Aktiviteti i kryer është ajo që dimë nga procedurat gjyqësore, veçanërisht në lidhje me përdorimin e porteve për trafikimin e drogës, dhe ana tjetër e medaljes është përdorimi i disa prej këtyre burimeve për të infiltruar në ekonominë ligjore”, thuhet më tej.

Të dhënat tregojnë se portet e Ligurias janë kthyer në pika kyçe për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Gjatë viteve 2022–2024 janë sekuestruar sasi të mëdha kokaine, përfshirë 445 kg në Genoa, 412 kg në La Spezia, si dhe 968 kg dhe 116 kg në Vado Ligure.

Sipas raportit të cituar nga ANSA, Liguria përbën 18.2% të totalit të sekuestrimeve në Itali, përqindja më e lartë në veri të vendit.

Dokumenti thekson gjithashtu se krimi i organizuar në këtë rajon nuk është më ekskluzivisht italian, pasi është konsoliduar një bashkëpunim i barabartë mes ‘Ndrangheta-s dhe grupeve shqiptare, të cilat tashmë kanë kaluar nga role dytësore në funksione kyçe logjistike dhe kanë fituar autonomi në rritje në operacionet kriminale.

Postime të lidhura