zoom

Ekonomi

Më të varfrit në Europë dhe paguajmë gafat e qeverisë shqiptare me Becchettin

Shqiptarët gjenden përballë një gropë ekonomike e cila thellohet çdo ditë e më shumë nga qeveria shqiptare pasi po mbajnë mbi supe rritjen e çmimeve të produkteve, rritjen e borxhit publik ndërkohë që sipas raportit më të fundit të Eurostat ata janë më të varfrit në Europë për vitin 2020.

Shqipëria kishte të ardhurat më të ulëta për frymë edhe në vitin 2020, me 30% të mesatares së Bashkimit Europian dhe 39% të konsumit individual për frymë, duke pasqyruar faktin se familjet shqiptare kanë mirëqenien më të ulët në Europë. Të ardhurat për frymë përbëjnë treguesin më të rëndësishëm për të gjithë ne sepse pasqyrojnë mundësita tona për jetesë dhe fuqi blerëse. Asnjë tregues tjetër nuk tregon më qartë impaktin dhe ndikimin e ecurisë ekonomike të vendit, duke filluar nga zbatimi i investimeve shtetërore deri tek fshehja pas fatkeqësive natyrore, për të cilat gjithashtu shpenzohen para nga shteti për t’iu paraprirë atyre.

Problemet nuk mbarojnë këtu por sapo fillojnë sepse ky popull i varfër ka në kurriz investime kuturu, siç është aeroporti i Kukësit, që u desh të mbyllej, ndërsa në raste të tjera, ato janë objekt përfshirje në procedura PPP-sh, në mungesë transparence, pa garë reale dhe me përfitues shumë të dyshimtë, që përfliten deri në majat e ekzekutivit, sikurse së fundmi aferat për inceneratorët, ku dyshohet për një shpërdorim dhe abuzim deri në vlerën 500 mln euro.

Më i rëndë është fakti që qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë dështimet e qeverisë shqiptare e cila sipas biznesmenit italianit Francesco Bechetti i detyrohet 150 milionë euro. Për më shumë, ajo që bie në kontrast me publikimin e Eurostatit, është fakti se nga ana tjetër raportohet se Becchetti dhe përfituesit e tjerë në arbitrazh, kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.

Nuk përjashtohet mundësia që Becchetti të mund të bllokojë edhe pagesat e lidhura me Eurobondet apo me instrumente të tjera të huamarrjes së jashtme, që e bën të qartë fare se paratë që merr Becchetti janë para borxhi që i paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre. Nga xhepa që zbrazen, për të mbushur xhepa të pasunarëve dhe që vetë në të mos i shkulemi tabanit të të ardhurave për frymë në Europë.

Në fund të shtatorit 2021, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi 8,97 miliardë euro sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni i lartë i Eurozonës, borxhet e akumuluara dhe pagesat për gjyqin e humbur me Becchettin janë probleme ku të vetmit që preken janë shqiptarët dhe jo pushteti.

Qeveria shqiptare ka hezituar vazhdimisht të bëjë transparencë publike për këtë çështje dhe në përgjithësi informacionet kanë dalë nga vetë Becchetti, madje shpesh herë me ekzibicion në Billborde, sikundër u pëlqen edhe vetë artistëve.

Kryeministri Edi Rama vazhdimisht “ankohet” që jemi vendi i vogël dhe kaq i kemi mundësitë por nuk përmend borxhet e shkaktuara nga paaftësia e treguar nga qeveria shqiptare. Këtë  vit janë rritur të ardhurat nga tatimet për 11 mujorin por kjo nuk ka rëndësi sepse ne kemi borxhe, kemi borxh të brendshëm, borxh të jashtëm dhe vazhdimisht do dali një problem ose një justifikim për të zhdukur taksat e shqiptarëve që shkojnë për Becchettin, për koncesionet, për investime të cilat nuk i prekim por i dëgjojmë dhe shohim nga ekranet motra të ERTV-së.

Arsyet përse shqiptarët largohen nga Shqipëria nuk vijnë për shkak se atyre u pëlqen të shijojnë vjeshtën në asfaltet e Gjermanisë por sepse varfërohen dhe mbeten të varfër për shkak të vjedhjeve dhe arrogancës së vazhdueshme të pushtetit që madje edhe për kapriço personale bëhet shkak i varfërimit të të gjithë neve.