zoom

Aktualitet

“Më dha 1 mijë euro”- Artan Tafani rrëfen si vendosi tritol me porosi të Laert Haxhisë: I kishte borxh për drogën

“Më dha 1 mijë euro”- Artan Tafani rrëfen si vendosi tritol me porosi të Laert Haxhisë: I kishte borxh për drogën

Në seancën e radhës në GJKKO, i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë një dëshmi të detajuar mbi raportet dhe aktivitetet e tij me Laert Haxhia. Ky i fundit ka refuzuar përballjen në sallën e gjyqit.

Sipas Tafanit, njohja me Haxhinë është bërë përmes ndërmjetësimit të Lulzim Arapi, në zonën e Dajtit. Ai tregoi se që në takimin e parë, Haxhia ishte i informuar për të kaluarën e tij dhe i kishte kërkuar të kryente veprime kriminale.

“Me Laertin jam njohur nga një çun nga Lushnja. Jemi takuar në Dajt nëpërmjet Lulzim Arapit, ai ma ka prezantuar. Laerti më ka thënë ‘ça di të bësh’, pasi ai kishte marrë informacionet që unë kisha bërë vjedhje me dhunë. Herën e parë më ka dhënë 1 mijë euro. Më ka kërkuar Laerti t’i vendos një sasi tritoli në një banesë në Lushnje, në pronësi të Erjon Çokut. Për këtë ngjarje kam taku Laertin dhe më ka thënë se çfarë duhet të bëj. Tritolin e kisha unë, ma kishte dhënë Sajmir Krasniqi. Më ka dhënë Laerti 100 euro sa për lek xhepi. Nga Korça shkova direkt në Lushnje dhe nga ora 2-3 e natës shkoj e ve tritolin dhe kthehem prapë në shpi”, ka deklaruar ai.

Në vijim të dëshmisë, Tafani ka folur edhe për motivet e mundshme të konfliktit, duke përmendur përfshirjen e viktimës në trafikun e drogës dhe borxhet ndaj Haxhisë:

“Në atë kohë flisja me Laertin dhe i thashë çfarë veprimesh bëra. Erjon Çoku ishte një person që shiste heroinë dhe e njihja se isha përdorues. Ky i kishte marrë Laertit mallin dhe nuk i kishte dhënë lekët. Besnik Çoku është vëllai i Erjonit, rrinte jashtë shtetit. Ishte hera e parë që e bëja një gjë të tillë”, është shprehur Tafani.

Dëshmia e tij pritet të jetë një element kyç në procesin gjyqësor, ndërsa hetimet dhe seancat vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes.

Postime të lidhura