zoom

Aktualitet

Mbytja e dy vëllezërve, banori: Polici mbante trupin e një prej fëmijëve! I mora, i bëra frymëmarrje artificiale, por…

Mbytja e dy vëllezërve, banori: Polici mbante trupin e një prej fëmijëve! I mora, i bëra frymëmarrje artificiale, por…

Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të premte në lumin Shkumbin, në zonën e Labinot Fushës, ku dy vëllezër të mitur kanë humbur jetën pasi janë mbytur në ujë.

Sipas dëshmive të të afërmve dhe banorëve të zonës, fëmijët, të moshës 7 dhe 9 vjeç, ishin duke ruajtur bagëtitë së bashku me nënën e tyre pranë lumit kur kanë hyrë në ujë për t’u larë.

Mendohet se rrjedha e fortë dhe një gropë e thellë e formuar në shtratin e lumit kanë bërë që ata të mos arrinin dot të dilnin më në breg.

Një nga të afërmit e familjes tregoi se një punonjës i hidrocentralit mbante në krah njërin nga fëmijët.

“Pashë të ëmën që po përplasej andej e këndej, i ati s’dinte nga të shkonte. Janë fshatarët e mi, mbahen me bagëti. Fëmijët ruanin gjërat e imta, lopët i mbanin prindërit”, tha ai.

Ai shtoi se në zonën ku ndodhi ngjarja ishte krijuar një gropë e madhe për shkak të ndërhyrjeve për devijimin e rrjedhës së ujit.

“Atje matanë është bërë një gropë e madhe, se kanë bërë një pritë që mos ikë uji matanë, aty i kishte gjet roja që punon tek hidrocentrali, njërin fëmijë e kishte polici në krah, e shtriva në tokë i bëra frymëmarrje artificiale, nuk di ça të them nuk jepte reagim fare, vinin përditë tek puna ime mbushnin ujë, rrinim bashkë aty kur ishte vapë”, tregoi ai me lot në sy.

Banorë të tjerë të zonës e përshkruajnë ngjarjen si një fatkeqësi të madhe.

“Fëmijët kanë qenë me bagëtitë. Shkumbini nuk ka shumë ujë, por mesa duket kanë rënë në ndonjë gropë të thellë. E njohim familjen, është ngjarje shumë e rëndë”, tha një tjetër banore.

Pavarësisht përpjekjeve të banorëve dhe forcave të emergjencës për t’i shpëtuar, trupat e pajetë të dy vëllezërve u gjetën pak më vonë në një kanal më poshtë përgjatë lumit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.

Postime të lidhura