zoom

Aktualitet

Maska për ngjarje kriminale, 3000 fara kanabisi dhe municione, pranga 26-vjeçarit në Krujë

Policia në Krujë ka arrestuar një 26-vjeçar, pasi iu gjetën sende të paligjshme, si maska që mund të përdoren për ngjarje kriminale dhe sasi lënde narkotike e fara kanabisi.

Të riut i janë gjetur 3000 fara të dyshuara kanabisi, 4 maska që përdoren për ngjarje kriminale, 1 kamera ambientale, sasi të municionit luftarak dhe 3 celularë.

Aksioni u bë në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale mbarëkombëtare “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, duke e koduar operacionin “Seeds” (Farat).

Operacioni u zhvillua nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Krujë.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2”, dhe “Sundimi i ligjit”, për një shtetas që transportonte fara kanabisi dhe posedonte sende të kundërligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seeds”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. D., 26 vjeç, banues në Krujë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/