zoom

Bota

Masakër në Iran/ Raportohet për më shumë se 16 mijë të vrarë nga protestat, vendi në errësirë totale

Masakër në Iran/ Raportohet për më shumë se 16 mijë të vrarë nga protestat, vendi në errësirë totale

Raporte ndërkombëtare po zbulojnë përmasat tronditëse të dhunës gjatë protestave masive në Iran, ku sipas dyshimeve, regjimi ka shkaktuar vdekjen e mbi 16.500 protestuesve.

Dhjetëra familje vijojnë kërkimet e dhimbshme për të afërmit e zhdukur, ndërsa gjendja humanitare përshkruhet si tepër kritike, shkruan The Sun. Sipas burimeve të ndryshme, deri në 360 mijë persona janë plagosur, mes tyre edhe fëmijë dhe gra shtatzëna, ndërsa shumica e viktimave raportohet se janë nën moshën 30 vjeç. Mjekë nga disa spitale kanë deklaruar se shumë të plagosur kanë humbur jetën për shkak të humbjes së madhe të gjakut, pasi forcat e sigurisë kanë penguar dhurimin dhe transfuzionet e gjakut.

Një zyrtar iranian ka pranuar se të paktën 5.000 persona janë vrarë, përfshirë rreth 500 anëtarë të forcave të sigurisë, duke ia atribuar dhunën “terroristëve dhe rebelëve të armatosur”. Megjithatë, organizata dhe burime të pavarura flasin për shifra shumë më të larta.

Raportohet gjithashtu se 700 deri në 1.000 persona kanë humbur shikimin në njërin sy si pasojë e plagëve nga armët, ndërsa një spital në Teheran ka regjistruar rreth 7.000 raste dëmtimesh në sy.

Ndërkohë, po rritet shqetësimi se autoritetet iraniane po planifikojnë ta zgjasin ndërprerjen e internetit për një afat të pacaktuar, duke e futur vendin në një lloj “izolimi digjital” të përhershëm. Sipas projekteve monitoruese, Irani synon të kalojë nga censura masive drejt një intraneti të mbyllur, ku vetëm persona me autorizim sigurie do të kenë akses në komunikimin me botën e jashtme.

Protestat, të cilat nisën më 28 dhjetor, janë përhapur në të 31 provincat e Iranit dhe konsiderohen reagimi më i ashpër i regjimit ndaj demonstratave gjatë 47 viteve të sundimit të tij. Mes viktimave është edhe studentja 23-vjeçare Rubina Aminian, e cila u vra gjatë një proteste në Teheran, ndërsa familja e saj u detyrua ta identifikonte mes qindra trupave.

Situata në Iran mbetet tejet e tensionuar, mes akuzave për masakra, censurë të plotë dhe përshkallëzim të represionit shtetëror./ Zoom.al

Postime të lidhura