zoom

Slider

Marrëveshja për targat Kosovë-Serbi, reagon Vuçiç: Nuk futemi në BE derisa të zgjidhim marrëdhëniet me Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç përshëndet marrëveshjen e arritur me Kosovën në Bruksel lidhur me targat. Ai tha se pala serbe pranoi propozimin e kompromisit për uljen e tensioneve në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Personalisht, jam shumë i kënaqur dhe kjo është shumë e rëndësishme për palën tonë”, është shprehur Vuçiç.

Presidenti serb konfirmon se palët ranë dakord që forcat speciale të Kosovës të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku në të njëjtën kohë me heqjen e barrikadave më 2 tetor.

Duke e quajtur historike vizitën e presidentes së Komisionit Evropian në Beograd, Vuçiç tha se gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të hapë edhe dyert e Bashkimit Evropian për vendin e tij.

“Serbia nuk do të jetë anëtare e BE derisa të zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën, por do të luftojmë për t’i zgjidhur ato”, sqaroi Vuçiç.

“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë. Tërheqja e ROSU-së është parashikuar dhe është një tregues se në të ardhmen veprime të tilla të shqiptarëve do të hasin në rezistencë nga popullata serbe. Kthimi i KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe tregon se është e mundur të sigurohen garanci sigurie për serbët. Unë e konsideroj këtë një sukses të madh të palës sonë…Ne jemi ata që e propozuam vendosjen e afisheve për ta, ata nuk mund të vendosin targa të përkohshme, por do të vendosin një afishe në stemën serbe dhe kjo nuk ka kosto”, u shpreh Vuçiç.