zoom

Slider

Marrëveshja për targat, Kurti: Tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitetin

Sot në Bruksel është arritur marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE-ja. Në lidhje me këtë arritje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur.

Kurti me anë të një statusi në rrjetet sociale thekson se targave të veturave të Serbisë do t’u mbulohet simboli shtetëror kur hyjnë në Kosovë e njëjtë edhe veturave nga Kosova që hyjnë në Serbi.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’u mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’u mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, pasi bllokada në veri po largohet, as Njësia Speciale nuk ka pse qëndron atje.

Ai thotë se Njësia Speciale mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë ose të ngjashëm në të ardhmen.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinjë dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, Njësia jonë Speciale nuk ka pse qëndron atje dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë ose të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, tha kryeministri Kurti.

Shefi i ekzekutivit të Qeverisë ka thënë se tani është epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.

“Në javën e shkuar, presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk u plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, ka përfunduar Kurti.