zoom

Politikë

Marrëveshja për emigrantët ende në ajër, a do ta bindë dot ministri Tajani politikën shqiptare?

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, viziton sot Shqipërinë, ndërsa do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.

Fokusi i vizitës është çështja e marrëveshjes mes dy vendeve për emigrantët. Ministri i Jashtëm Italian pritet të vizitojë dhe Shëngjinin.

Por duket se do ketë më shumë punë se diplomaci, për të bindur politikën shqiptare dhe në veçanti Opozitën, e cila ka dërguar çështjen në Kushtetuese, si antiligjore dhe për shkak të njëanshmërisë nga mazhoranca në firmosje, pa diskutime palësh.

Pritet që Tajani të shfrytëzojë të gjitha teknikat diplomatike për ta kaluar ngërçin e krijuar.

Gjykata Kushtetuese, më 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen. Kryemistrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër. /ZOOM.AL/