Aplikacion
Deri pak më parë, si deputete apo ministre pa portofol, ajo ka qenë e lirë të veprojë e megafonojë sipas dëshirës e humorit apo siç mund t’ia kërkojë “zanati”. Për shembull, asnjë institucion apo diplomat i huaj nuk e kritikoi atë kur krahasoi shefin e saj me Skënderbeun. Asnjë nuk foli publikisht as kur shpalli Don Kishotin “si figurë romantike të letësisë”, as kur tha se “Vojo Kushi e Vasil Laçi nuk ishin aq të rëndësishëm për t’u dekoruar” apo kur ngatërroi ngjyrat e flamurit shqiptar “shqiponja me dy krena në fushë të zezë”.
Pra, për të gjitha këto ajo mund të ndihet njeriu më i lirë në planet e të mos i skuqet lëkura pas makiazhit, sepse maksimumi do ta qortojë ndonjë analist apo gazetar që ajo dhe partia e saj mund ta shpallin “armik”. Ndërkombëtarëve që na monitorojnë, aq u bën injoranca e ndonjë politikani, mjafton që ata të mos shkelmojnë disa rregulla e ligje që godasin themelet kushtetuese të vendit.
Deklarata e ambasadës së BE-së dhe ambasadës së SHBA-së një ditë më parë, se rrëzimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që parlamenti duhet t’i drejtohet asaj për të shqyrtuar nëse Olta Xhaçkës i duhet hequr mandati (pasi nuk mund ta shqyrtojë vetë pavlefshmërinë), ka qenë më e rënda e bërë në të paktën mandatin e fundit të qeverisë Rama nga selitë më të rëndësishme diplomatike të Tiranës.
Kurrë më parë mazhoranca e Edi Ramës nuk është treguar hapur me gisht se ka prishur balancat institucionale, ndonëse partia e tij “ka zaptuar” thuajse çdo institucion të pavarur kushtetues në vend me emërime që nga opozita dhe kritikët konsiderohen tërësisht politike.
Por dje, veç Edi Ramës, mesazhi ishte për Spiropalin. Ajo u tregua me gisht nga ambasadat e BE-së dhe SHBA-së si gënjeshtare.
“Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur,” – thuhet në deklaratë.
Por çfarë e detyron Spiropalin dhe parlamentin që ajo drejton që të mos i zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Zoom.al mori informacion pak kohë më parë nga disa burime për arsyet që çuan në largimin nga detyra të paraardhëses së Spiropalit, Lindita Nikollës.
Të paktën dy burime nga mazhoranca i thanë Zoom.al se futja në diskutim e kërkesës së Partisë Demokratike për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës e kishte irrituar kryetarin e mazhorancës, aq sa e detyroi Nikollën të largohej, pasi nuk po përmbushte kërkesat politike të partisë. Zoom.al nuk mundi t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Ndryshimi i kryetares së Kuvendit nuk orientoi deputetët për mënyrën si të votonin. Zoom.al mëson se instruksionet u dhanë nga persona të tjerë brenda grupit parlamentar. Por kryetarja e Kuvendit, siç tregojnë reagimet e dy ambasadave, është ajo që do të duhet të mbajë peshën e përgjegjësisë. Dhe Elisa Spiropali dukej e përgatitur dje për këtë kur reagoi menjëherë pas deklaratave të selive më të rëndësishme diplomatike në vend.
Elisa tha dje se do të pyeste Komisionin e Venecias se “a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?”.
Por ambasadat i thanë se kjo është fare e panevojshme, sepse “zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.”
Spiropali ndoshta mund të besojë se kontrollet dhe balancat institucionale i bën partia, por çështja e shkelmimit të Gjykatës Kushtetuese me gjasë i ka zgjuar më në fund ndërkombëtarët, të cilët, ashtu siç i kërkuan disa herë Lindita Nikollës që të mos i shkelë të drejtat opozitës dhe t’i lejojë të ngrejnë komisionet hetimore parlamentare, po i ngarkojnë Spiropalit peshën e rëndë të respektimit të shtetit ligjor, të cilës, duke i bashkuar nga ana tjetër peshën që i ngarkon partia me vendime “tronditëse” si ai i djeshmi, zor se do t’i mbajnë muskujt gjatë në detyrën e re. /Zoom.al
Rudina Dembacaj flet mes lotësh për divorcin: Gjykata është shumë e njohur për time bijë