zoom

Bota

Maduro fiton mandatin e tretë në Venezuelë

Maduro fiton mandatin e tretë në Venezuelë

Presidenti Nicolas Maduro ka fituar zgjedhjet presidenciale të Venezuelës dhe ka siguruar mandatin e tij të tretë.

Me 80% të votave të numëruara, Maduro siguroi 51.20% të votave dhe Gonzalez Urrutia rreth 44%, tha CNE.

Opozita ka pretenduar për manipulim në numërimin e votave dhe është zotuar se do të kundërshtojë rezultatin.

Duke folur para mbështetësve në Karakas, Maduro tha se rizgjedhja e tij ishte një “triumf i paqes dhe stabilitetit”.

Ai vlerësoi sistemin zgjedhor të Venezuelës, duke e përshkruar atë si transparent.

Sekretari amerikan i Shtetit shprehu skepticizëm pas shpalljes së rezultatit. Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kishin “shqetësime serioze se rezultati i deklaruar nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian”.

Ndërkohë, Kuba, një aleat i ngushtë i qeverisë së Maduros, tha se “populli foli dhe Revolucioni fitoi”.

Opozita u kishte bërë thirrje gjithashtu mbështetësve që të mbanin vigjilencë në qendrat e votimit për të verifikuar procesin e numërimit në “orët vendimtare” pas mbylljes, mes frikës së përhapur se qeveria do të përpiqej të vidhte votat.

Sondazhet i kishin dhënë Gonzalez një epërsi të madhe ndaj Maduro.

Shumë votues thanë se donin ndryshim pas 25 vitesh në të cilat partia socialiste PSUV ka qenë në pushtet – fillimisht nën udhëheqjen e presidentit të ndjerë Hugo Chavez dhe pas vdekjes së tij nga kanceri në 2013, nën Nicolás Maduro.

“Rezultatet nuk mund të fshihen. Vendi ka zgjedhur në mënyrë paqësore ndryshimin”, siguroi Gonzalez Urrutia përmes një postimi në X, përpara se të shpalleshin rezultatet.

Nga ana e saj, Maria Korina Machado, një figurë drejtuese e opozitës, kërkoi që forcat e armatosura të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Mesazhi për ushtrinë. Populli venezuelian ka folur: ata nuk e duan Maduro-n”,tha ajo. “Është koha për të qëndruar në anën e duhur të historisë. Ju keni një shans, dhe është tani.”

Postime të lidhura