zoom

Ide & Blog

Lufta merr kthesën e madhe, SHBA gati të heqë dorë nga Ukraina dhe Zelensky

Pas përplasjes së fortë me Shtëpinë e Bardhë, që e akuzon atë si fajtor për mosbesimin fillestar ndaj paralajmërimeve amerikan për pushtimin e afërt rus, fshihen ndarje shumë më të thella. Ndarje, që kanë të bëjnë jo vetëm me vazhdimin e ndihmës ushtarake ndaj Kievit, por edhe me vetë fatet e Ukrainës.

Zgjedhja për të furnizuar ushtrinë ukrainase me vetëm 4 sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi “Himars”, pavarësisht këmbënguljes së Kievit për të marrë të paktën 60 të tilla, janë një shenjë e qartë e skepticizmit me të cilin e sheh rezultatin e luftës një pjesë e administratës amerikane.

Një skepticizëm ky tashmë i theksuar nga pakësimi i papritur i dërgesave të armëve perëndimore në frontet e luftës në rajonin e Lugansk. Përparimi i shpejtë i rusëve në Severodonetsk, dhe humbjet shumë të mëdha në radhët e forcave ukrainase – nga 100-200 viktima në ditë sipas këshilltarit të presidentit Mykhaylo Podolyak – tregon kotësinë e vazhdimit të furnizimit të një ushtrie, e cila duket se është e paaftë të mbushë boshllëqet dhe të vendosë në front një personel mjaftueshëm të trajnuar për përdorimin e armëve të dërguara së fundmi nga SHBA-ja.

Pikërisht për këtë arsye Shtëpia e Bardhë, do të vlerësojë mundësinë e zhvillimit të negociatave të drejtpërdrejta ose të tërthorta me Kremlinin, menjëherë pas rënies së bastioneve të fundit në Luhansk dhe Donetsk.

Përballë një disfate të dukshme të Kievit në këtë luftë, SHBA-ja dhe NATO-ja mund të pretendojnë në fund se bënë gjithçka që ishte e mundur për ta shpëtuar Ukrainën. Nga ana tjetër, arritja e njërit prej objektivave të shpallura në prag të 24 shkurtit, mund ta nxisë Vladimir Putinin të pretendojë fitoren, duke pranuar nisjen e negociatave për arritjen e një armëpushimi.

Arsyeja e reflektimeve të reja nga një Shtëpi e Bardhë, e cila në muajin mars dukej e vendosur për të përfituar maksimalisht nga konflikti në Ukrainë, deh për ta reduktuar sa më shumë fuqinë ushtarake ruse, ka të bëjë me skenarin e ndryshuar nga ana e Moskës.

Gjatë muajit të parë të luftës, shumë shenja tregonin një Vladimir Putin në pozita të lëkundura, dhe nën shënjestrën e mundshme të larjes së hesapeve të brendshme midis njerëzve të Kremlinit. Por sot presidenti rus duket jo vetëm në pozita të konsoliduara në krye të vendit dhe të luftës që ka nisur në Ukrainë, por edhe i gatshëm të rimarrë iniciativën, duke u fokusuar këtë herë tek sulmi ndaj Odesës.

Bllokada e daljes në det të Ukrainës, është për shumë eksponentë në Kremlin, masa e nevojshme për të mposhtur Ukrainën, për t’i imponuar një neutralitet të përhershëm dhe për të detyruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian të marrin përgjegjësinë për të në aspektin ekonomik për dekadat e ardhshme.

Por perspektiva e një “shah-mat”-i të Moskës mbi Odesën, është padyshim e papranueshme për Uashingtonin dhe NATO-n. Nëse nisja e negociatave të armëpushimit pas një dështimi të ushtrisë ukrainase në Donbas, mund të pranohet si diçka e pashmangshme nga opinioni publik amerikan dhe evropian, dështimi për t’iu kundërpërgjigjur një avancimi rus në Odesa, do të dukej i papranueshëm dhe i turpshëm.

Por për ta shmangur këtë poshtërim, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, duhet të pranojnë rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak të frikshëm, që mund të jetë në gjendje që të na tërheqë deri edhe në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Moskën.

Një perspektivë kjo e frikshme jo vetëm për Evropën, por edhe për një Joe Biden të detyruar të përballet me zgjedhjet e mesit të mandatit në vjeshtë, bashkë më rrezikun e një konflikti botëror për amerikanët.

Pra një perspektivë jo shumë emocionuese për një president që mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, me premtimin e nxjerrjes së SHBA-së nga Lufta e Afganistanit që dukej “e pafundme”, por që tani mund të duket banale dhe thuajse e parëndësishme në lidhje me një përplasje midis dy fuqive kryesore bërthamore.

Pikërisht për këtë arsye, nisja sa më shpejt e negociatave pas dështimit të paralajmëruar të Ukrainës në rajonin e Donbasit, mund të rezultojë nga këndvështrimi i Shtëpisë së Bardhë, të jetë shumë më i pranueshëm sesa të panjohurat e një sfide ballore mbi Odesën./ Il Giornale