zoom

Aktualitet

Lubonja: Goditjet e zyrtarëve nga SPAK, me regji të Edi Ramës. Operacione për të krijuar idenë se po ndërton shtet

Fatos Lubonja është përpjekur edhe njëherë të shohë në prapaskenën e arrestimeve të disa zyrtarëve nga SPAK. Teksa të gjithë shpresojnë se drejtësia më në fund do të veprojë mbi të korruptuarit, analisti shuan shpresat. “Janë veprime me regji të Edi Ramës”, thotë ai. “I bën për të dhënë idenë se po krijon shtet”.

“Sa herë që kryeministri Rama ka marrë mandatin, gjithmonë janë ndërmarrë aksione, për të krijuar idenë se  tani po bëhet shteti”, vijon më tej ai në intervistën e përjavshme në televizionin News 24.

Pse SPAK nisi këto hetime tani dhe jo para zgjedhjeve?

“Përgjithësisht është përdorur fjala regji. Ideja është që SPAK është me regji, këto janë veprime që bëhen me regji. Pikëpyetja është cili është regjisori? Nënkuptohet se njëri nga regjisorët kryesorë që mendohet është vetë Edi Rama. Ka një ide që jo, regjisori mund të jenë amerikanët, ambasada amerikane, një ide tjetër është vetë SPAK po bën një aksion me regji. Kur themi regji, diçka që është e programuar. Ashtu si mund të ngremë dhe pyetjen mos vallë regjisori është dinakëria e të arsyeshmes? Pra dhe kur ndodhin gjëra për qëllime të këqija, arsyeja ka një arsye.

Unë mbetem i idesë që duke parë hap-pas hapi ngjarjen këtu ka një regji, në vështrimi ne parë regjia është Edi Rama, pushteti, i cili po të shikosh Edi Ramën, në krye të mandateve ka bërë operacione të kësaj natyre, për të krijuar idenë se po ndërton shtetin. Prishja e ndërtimeve pa leje, puna e dritave, operacion për ata që duhet të mbanin në makina pajisjet mjekësore, që duhet të ketë çdo shofer. Ka pasur aksione të tilla, të cilat pastaj janë harruar dhe kanë krijuar idenë, tani po ndërtohet shtet, ky po ndërton shtet, por ne kemi parë gjithnjë një shtet gjithmonë e më të kapur.

Pse them regji? Them regji sepse për shembull një pyetje mund të ngrihet, ore mirë ky SPAK pse i hapi gjithë këto procese, pas zgjedhjeve dhe jo para zgjedhjeve? SPAK duhet të jetë i pavarur nga politika, e hap procesin kur maturohet. Si ka mundësi e hapi procesin dhe arrestimet u bënë pas zgjedhjeve?”, deklaroi Lubonja.

Pjesë të regjisë së propagandës, Lubonja sheh edhe qëndrimet “e ashpra” publike të kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët dhe ministrat.

“Gjithmonë me idenë që tani do ndërtojmë shtetin, për t’iu thirrur përgjegjësive të tyre shtetërore. Është pjesë e regjisë. Gjithmonë në funksion të një propagande. Duhet të kemi parasysh që peshku qelbet nga koka, jo nga bishti. Kryeregjisori i së keqes në kuptimin e gjithë këtij sistemi që është ndërtuar, korrupsioni, lidhjen e krimit me politikën, është Edi Rama. Këto punë i ka filluar që në bashki, duke e bërë Tiranën nga qytet të qytetarëve, në qytet të oligarkëve, është histori e gjatë, pastaj pastrimi i parave.

Të gjitha këto nuk bëhen dot pa një regjisor se është dhe kryedhënësi i lejeve të ndërtimit. Prandaj ai SPAK, në qoftë se shkon deri tek ca nëpunës anonimë, ne mund të njihnim Ndrecën dhe Lleshajn, po ata poshtë jo. Pyetja që ngre çdo njeri, si ka mundësi që në këtë vend, në këtë Shqipëri, ku njeh dreqi të birin, kalokan shifra të tilla e nuk di gjë ministri e sekretari i përgjithshëm? Janë shenja të regjisë dhe propagandës”, tha Lubonja.