zoom

Aktualitet

Lotaria Amerikane me rregulla të reja, pasaporta bëhet kusht kryesor

Lotaria Amerikane me rregulla të reja, pasaporta bëhet kusht kryesor

Programi i njohur si Lotaria Amerikane do të pësojë ndryshime të rëndësishme, pasi Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka miratuar rregulla të reja që synojnë rritjen e kontrollit dhe parandalimin e abuzimeve gjatë aplikimit.

Sipas njoftimit zyrtar, këto rregulla do të hyjnë në fuqi më 10 prill 2026 dhe do të aplikohen për programin DV-2027. Ndryshimet fokusohen kryesisht në verifikimin më të rreptë të identitetit të aplikantëve.

Një nga kushtet kryesore tashmë është pajisja me pasaportë të vlefshme dhe jo të skaduar, e cila duhet të përfshihet në aplikimin online. Përveç kësaj, aplikantët do të duhet të ngarkojnë edhe një kopje të skanuar të faqeve kryesore të pasaportës, përfshirë të dhënat personale dhe nënshkrimin.

Të dhënat që kërkohen përfshijnë:

  • Numrin e pasaportës
  • Autoritetin ose shtetin që e ka lëshuar
  • Datën e skadimit
  • Kopje dixhitale të faqes biografike dhe nënshkrimit

Autoritetet paralajmërojnë se aplikimet që nuk përmbajnë këtë dokumentacion mund të refuzohen automatikisht.

Këto masa janë ndërmarrë për të luftuar fenomenet e mashtrimit, si aplikimet e shumëfishta apo regjistrimet e bëra nga persona të tretë pa dijeninë e aplikantëve. Sipas zyrtarëve, kërkesa për pasaportë do të ndihmojë që çdo aplikim të lidhet me një individ real dhe unik.

Megjithatë, rregullorja parashikon edhe përjashtime të kufizuara për persona pa shtetësi ose për ata që nuk kanë mundësi të pajisen me pasaportë për arsye ligjore.

Në të njëjtën kohë, janë bërë edhe disa përditësime teknike në formularët e aplikimit, ku termat “gjini” dhe “moshë” zëvendësohen përkatësisht me “seks” dhe “datë lindjeje”, për të rritur saktësinë e të dhënave.

Sipas Departamentit të Shtetit në SHBA, këto ndryshime do ta bëjnë procesin më të sigurt dhe më transparent, duke reduktuar ndjeshëm mundësitë për manipulim të sistemit.

Ndërkohë, nisja e aplikimeve për DV-2027 është shtyrë dhe ende nuk është bërë publik kalendari i ri i regjistrimeve për vendet e përfshira, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova./ Zoom.al

Postime të lidhura