Aplikacion
Lori Hoxha, një nga trashëgimtaret e ish-pronarit të ndjerë të Top Channel, Dritan Hoxha, ka hyrë së fundmi në radhën e “invesitorëve strategjikë”, me lejen e kryeministrit Edi Rama, sipas dokumentave.
32-vjeçarja Hoxha, e cila është personazhi kryesor në drejtimin e televizionit Top Channel, ka marrë bekimin e kreut të qeverisë për të ndërtuar një strukturë të kombinuar hoteliere dhe strukturash shërbimi në qytetin e Tiranës.
Vendimi është marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike në 10 Prill 2025, rreth një muaj para zgjedhjeve parlamentare, ku Top Channel, si përherë, u rreshtua në krah të kryeministrit Edi Rama.
Kompania përfituese e statusit të “investitorit strategjik” është “Anima Con” shpk. Shoqëria është krijuar në qershor të vitit 2022 nga nëna e Lori, Vjollca Hoxha, vejusha e Tan Hoxhës.

Sipas dokumentave Vjollca Hoxha ia dhuron kompaninë vajzës së saj, Loreta Hoxha, në janar të vitit 2025. Më pas, shoqëria “Anima Con” aplikon për statusin e “investitorit strategjik”.
Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ka miratuar vendimin nr.1, dt. 10 Prill 2025 “Miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik procedurë e veçantë” për projektin e investimit “Anima”, me subjekte aplikues “Anima con” shpk dhe “Eb Construction”.
Së bashku me kompaninë e Lori Hoxhës, në këtë “investim strategjik” është përfshirë edhe “EB Construction”, në pronësi të Ilir Bregasit, djali i biznesmenit të afërt me Partisë Socialiste, Luan Bregasi.

Sipas vendimit të nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe të kundërfirmosur nga të paktën 5 ministra të kabinetit të tij, “projekti i investimit “ANIMA” parashikon ndërtimin e një kompleksi me funksion të përzier si hotel, rezidencial, godina banimi dhe shërbimesh, në Bashkinë Tiranë”.
Ligji për “Investimet strategjike”, i miratuar fillimisht në vitin 2015 me efekt 5-vjeçar, por që më pas u shty disa herë, kishte si synim të shpallur nga kryeministri Rama thithjen e kompanive të huaja për të investuar në sektorë të rëndësishëm të vendit, e kryesisht në turizëm.
Ndër “investitorët strategjikë” shqiptarë mund të përmendet gaztori Gazmend Paja, i njohur për pjesëmarrjen në prograbim kabare “Portokalli” në Top Channel, i njohur për raportet shumë të ngushta me kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Po ashtu, “investitor strategjik” është shpallur edhe ish-këngëtari dhe producenti i emisioneve televizive, Turjan Hyska.
Tashmë, në radhën e investitorëve strategjikë nga fusha e medias, u përfshi edhe Lori Hoxha, një nga drejtueset kryesore të televizionit “Top Channel”./ Boldnews
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit