zoom

In Zoom

LISTA/ Të gjithë deputetët dhe kryebashkiakët e inkriminuar të Edi Ramës

Kryefjalë e këtyre ditëve është kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Edi Rama i besoi financat e vendit, menaxhimin e fondeve të rindërtimit pas tërmetit, por edhe postin e zëvendëskryeministrit. Por në një dosje prej gati 400 faqesh, Prokuroria e Posaçme ngriti akuza ndaj Ahmetajt për fshehje të pasurisë, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion pasiv, pas hetimeve për aferën e inceneratorëve.

Ky nuk është rasti i parë që një fije e lëmshit Rama këputet e nxjerr zbuluar shkeljet dhe abuzimet me pushtetin.

Rasti i Rrahman Rrajës

Nga skandali në skandal, socialistët i ndan vetëm një fundjavë. Javën e shkuar i gjithë diskutimi bëhej për rastin e Borizanës, ku fisi Rraja dhunoi barbarisht fisin Maja pse u ankuan për guroren e tyre. Pas këtij skandali, socialisti Rrahman Rraja “sakrifikoi” mandatin e tij të deputetit.

Skandali seksual i Safet Gjicit

Më 24 qershor, Safet Gjici që mbante postin e kryebashkiakut të Kukësit, u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme për korrupsion, pas video-skandalit seksual me Alma Kaçin në zyrë, e cila i kërkonte favore për një tender për qentë.

Arrestimi i Vangjush Dakos

Vetëm pak ditë para Gjicit, më 6 qershor, Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku socialist i Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK-ut së bashku me 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit si dhe 1 ndërtues. Dako u vendos në pranga pas hetimeve të kryera për dy çështje të ndara; zbardhjen e lejes së ndërtimit të një pallati në Durrës thuajse dy vjet, pasi ishte ndërtuar dhe që u dëmtua nga tërmeti si dhe tenderin e ndërtimit të një shëtitoreje në zonën bregdetare. Ndaj Dakos rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste dhe falsifikim dokumentesh.

“Rënia” e Saimir Tahirit

Një tjetër minsitër shumë afër Ramës, që iu besua një dikaster mjaft i rëndësishëm si Ministria e Brendshme, përfundoi pas hekurave. Fjala është për Saimir Tahirin.
Në vitin 2019, ai u akuza nga prokuroria për “trafikim të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim me një organizatë kriminale, dhe “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Katania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Emri i ish-Ministrit Tahiri doli në përgjimet e bëra ndaj grupit kriminal Habilaj nga Prokuroria italiane.

Në qeli edhe Fatos Tushe

Në vitin 2021, një tjetër kryebashkiak socialist u arrestua për t’u përballur me drejtësinë. Fjala është për Fatos Tushen, asokohe kryetar i Bashkisë së Lushnjes. Ai u arrestua me urdhër të SPAK, si i akuzuar për disa raste korrupsioni. Tenderi, për të cilin SPAK nisi hetimet dhe vendosi të arrestonte kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, është i vitit 2020. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 24 milionë lekë të reja për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj, në njësinë administrative Kolonjë. Tushe akuzohet se ka favorizuar një nga kompanitë, që ka marrë pjesë në tender. Përveçse akuzohet për shkeljen e barazisë në tendera, pasi ka skualifikuar kompanitë e tjera, sipas SPAK dyshohet se ka përfituar dhe para, bashkë me të arrestuarit e tjerë në Bashkinë e Lushnjës.

Abuzim me tendera, jo vetëm Fatos Tushe

Akuza për abuzim me tenderat publikë nuk është ngritur vetëm ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe. Edhe Lefter Alla u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Bulqizës për shkelje të rënda. Me urdhër të SPAK, Alla u arrestua më 16 mars, bashkë me 10 persona të tjerë.

Rasti “Shukri Xhelili”

Skandali seksual është një histori e hershme për kryebashkiakët socialistë, që përfshin edhe emrin e ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili. Shukri Xhelili u arrestua më 15 maj 2015 në Tiranë me akuzën për “Korrupsion pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Ai u denoncua nga një 20-vjeçare, pasi i kishte kërkuar asaj favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Si provë kundër Shukri Xhelilit ishte një videoregjistrim, që e implikonte atë në aferën seksuale në këmbim të punësimit. Vetëm një ditë pas publikimit të video-skandalit, kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Bashkisë së Dibrës, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi ish-kryebashkiakun me 4 vite burg. Ai përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar dhe video-skandali i kushtoi Xhelilit 2.8 vite heqje lirie.

Rasti “Elvis Roshi”

Edi Rama u detyrua në vitin 2017 t’i ndërpresë në mes mandatin në krye të Bashkisë së Kavajës edhe Elvis Roshit. Ai u arrestua me urdhër të gjykatës, pasi u akuzua se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut. Hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës zbuloi skedën e zezë të ish-kryebashkiakut të Kavajës, si edhe faktin se Elvis Roshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Evropës.

Rasti i Pjetrit, nuk e shijoi dot detyrën asnjë ditë

Valdrin Pjetri është një tjetër emër që Partia Socialiste e kishte zgjedhur për të drejtuar një prej bashkive më të rëndësishme të vendit, atë të Shkodrës, në vitin 2019. Por pas denoncimeve të Partisë Demokratike, Pjetri, pasi siguroi mandatin drejtues në procesin zgjedhor pa garë sepse opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, u detyrua të dorëhiqet pa bërë dot betimin si kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Arsyeja? Ai nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë i dënuar në Itali nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të substancave narkotike.

Rasti i Agim Kajmakut

As Agim Kajmaku, i zgjedhur në krye të Bashkisë së Vorës, nuk e çoi dot mandatin deri në fund. Ai u zgjodh pa garë në vitin 2019, por më pas, vetëm një vit më vonë, u shpall në kërkim për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Kajmaku kishte gënjyer formularin e dekriminalizimit, ndërsa drejtësia italiane më pas ngriti akuzë edhe për trafik të 20 kg kokainë.

Dorëheqja e Armando Prengës

Formulari i dekriminalizimit “dogji” edhe deputetin socialist Armando Prenga. Ai u zgjodh dy herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përpara se të largohej me dorëheqje në vitin 2017 për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Sipas verifikimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Prenga kishte precedentë penalë në Itali për vjedhje si dhe një dënim të formës së prerë në Shqipëri për “falsifikim dokumentesh”, të cilat nuk i kishte deklaruar.

Përjashtimi “live” i Gjetan Gjetanit

Me shkelje në formularin e dekriminalizimit u gjet edhe Gjetan Gjetani, kur ushtronte detyrën e deputetit të Partisë Socialiste, pasi u ngritën dyshime se nuk kishte deklaruar dënimin e tij në Itali. Si ish-punonjës policie, emri i tij u lakua nga PD edhe si i përfshirë në korrupsion. Pas akuzave, ai u përjashtua “live” nga grupi parlamentar i PS nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Rasti i Aqif Rakipit

Rekordet kriminale në shtetit italian nuk i kishte deklaruar as ish-deputeti socialist, Aqif Rakipi. Në Itali, deputeti kishte deklaruar emra të rremë si Skënder Ejyrbegaj dhe Kusta Mina. Aqif Rakipi e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018 si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar një procedim në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Në vitin 2022, ai u fut edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rasti i Mark Frrokut

Sot shijon lirinë, por deri në vitin 2018 ish-deputeti socialist Mark Frroku vuante dënimin në qeli për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje. Gjykata njohu pafajësinë e Mark Frrokut për këtë akuzë. Ish-deputeti u arrestua në vitin 2015 pas atentatit të pretenduar të Tom Doshit, ku u ndalua për deklarim të rremë. Ndërsa më pas ndaj tij u ngritën me radhë akuzat e fshehjes së pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim pa leje.

Rehovicës iu ndërpre mandati

Verifikimet e thelluara pas plotësimit të formularit të dekriminalizimit zbuluan se edhe deputeti Gledion Rehovica nuk e kishte plotësuar saktë atë, duke fshehur një dënim nga drejtësia italiane duke përdorur një emër tjetër. Në vitin 2018, Rehovicës iu hoq mandati i deputetit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit.

Largimi i Arben Ndokës, i dënuar për prostitucion

Listës së deputetëve të inkriminuar të Edi Ramës i shtohet edhe Arben Ndoka. Pasi opozita publikoi dosjen, ku ish-deputeti rezultonte i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 27 ditë burg nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj personave të tjerë, Ndoka dorëzoi mandatin.

Arben Çuko në pranga për ryshfet

Pjesë e emrave të ish-deputetëve socialistë të arrestuar për korrupsion është edhe Arben Çuko. Ish-Drejtori i Policisë së Burgjeve, Çuko u arrestua në vitin 2018 pasi u zbulua nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge “Vol-vo 4” se jepte leje për të burgosurit, përkundrejt ryshfetit.

Ish deputeti socialist u prangos së bashku me anëtarët e grupit “Avdylaj”, të cilët sipas prokurorisë së krimeve të rënda ndikonin tek zyrtarë shtetërorë përfshi e strukturën e burgjeve për lejet, transferimet dhe vendqëndrimet e të burgosurve. Në bisedat e përgjuara gjithçka që iu atribua Çukos ishte transferimi i të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3.000 euro.

Rasti i Arlind Gjokutajt

Skandalet e socialistëve nuk kanë të sosur në çdo nivel drejtues. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, së bashku me dy drejtorë të këtij institucioni u arrestuan pak muaj më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prangosja e tyre erdhi pas një hetimit të hapur ndaj shtetasit Ilir Thana, i cili u kompensua për privatizimin e një ndërmarrjeje shtetërore pavarësisht se ishte paguar dhe herë tjetër. Shuma prej 480 milionë lekë që iu kalua shtetasit Thana vlerësohet si një vjedhje në Buxhetin e Shtetit. Arlind Gjokutaj ka qenë edhe drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Gjokutaj drejtonte më herët Drejtorinë e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Duket se Edi Rama i thith si magnet pranë vetes të gjithë të inkriminuarit dhe u beson poste drejtuese si shpërblim. Por më pas, skandalet i shpërthejnë si shashka në duar njëri pas tjetrit./ Artikull origjinal i Zoom.al