zoom

Ekonomi

Ligji/ S’ka më të rinj, qeveria synon të bëjë Shqipërinë qendër inovacioni me të moshuar e të huaj

Shqipëria inovative do të drejtohet nga të huajt dhe të vjetrit.

Qeveria ka hedhur për konsultim Strategjinë e zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative, 2024-2030 dhe aty pranon se vendi nuk ka më as talente të reja e as të rinj.

Problemin e talenteve, Shqipëria do ta zgjidhë me importin e të huajve, pasi  “talentet shqiptare kanë emigruar”.

“Duke përdorur suksesin e industrisë së turizmit gjatë viteve të fundit, ne do të synojmë talentet e huaja me mesazhe specifike, do të shpalosim mundësi dhe do të ofrojmë një portë fillestare për ekosistemin Shqiptar të inovacionit” thuhet në draft.

Ngërçi tjetër për zhvillimin e ekosistemeve teknologjike në vend është ai i plakjes së popullsisë. Në mungesë të brezave të rinj, qeveria thotë se këto biznese inovative do të drejtohen nga “sipërmarrësit veteranë”, që përpos eksperiencës, i japin zgjidhje dhe krizës demografike të vendit.

Po ashtu, aty pranohet se Shqipëria nuk ka pasur një rrugëtim të mbarë në rrugën e inovacionit dhe mbetet pas vendeve të rajonit, për shkak të pengesave në financim dhe menaxhim. Strategjia ndahet në 3 faza, ku e para është ajo e 2024-2025 që parashikon ngritjen e Agjencisë Shtetërore Startup Albania e cila do të menaxhojë projektet e reja në këtë drejtim (inkubatorët) dhe financimin e tyre. Po ashtu, do të ndërtohet një platformë digjitale dedikuar këtij objektivi, QRT, Qendra Rajonale e Transformimit, për të lejuar menaxhimin e ekosistemit në të ardhmen.

Në 2026-n, sipas draftit nis faza e konsolidimit, ku tregu dhe publiku do të mund të shohin produktet dhe shërbimet e para të këtij ekosistemit të ri sipërmarrje.

Në 2028-n nis faza operacionale, ku Shqipëria parashikohet të jetë bërë konkurruese në tregun botëror digjital.

Në relacion thuhet se në 2030-n Shqipëria do të bëhet magnet i investimeve globale dhe një treg konkurrues në nivel global.