zoom

Aktualitet

Lidhjet e Ramës me agjentin e arrestuar të FBI-së

Charles McGonigal, agjenti i posaçëm i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën e FBI-së ishte duke u kthyer nga një udhëtim në Europë, kur agjentët federal i vendosën prangat në aeroportin JFK, në Nju Jorkut me akuzën se në kundërshtim me ligjin ka përfituar shuma të mëdha parash nga një oligark rus, i cili ishte në listën e personave të sanksionuar nga SHBA.

Dy ditë më vonë, të hënën në mbrëmje, Zyra e Prokurorit të SHBA në Uashington, DC, ngriti zyrtarisht një akuzë të dytë ndaj tij se ai ka marrë 225,000 dollarë, si dhe ka përfituar udhëtime në Tiranë, Kosovë dhe Bosnjë, me shpenzime që duket se janë mbuluar nga individë shqiptarë.

Mediat amerikane që kanë zbuluar skandalin bëjnë të ditur se zyrtari i lartë i FBI-së rezulton se ka vizituar Tiranën në mënyrë të përsëritur dhe ku është takuar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, me një politikan në Kosovë dhe dy politikanë në Bosnjë, ka marrë së paku 225 mijë dollarë nga dy shqiptarë, njëri i cilësuar si personi A, me vendbanim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë, dhe tjetri i cilësuar si personi B dhe që konsiderohet si “këshilltar joformal” i kryeministrit Edi Rama.

Hetimet

Duket se e gjithë historia nis në vitin 2017, kur sipas akuzës zyrtari i FBI-së ka marrë dy herë para nga personi A.

“Në vjeshtën e vitit 2017, në vendbanimin e Personit A në Nju Xhersi, i pandehuri McGonigal mori dy herë më shumë para të thata nga Personi A në sasitë afërsisht 80 mijë dhe 65 mijë dollarë,” shkruhet në aktakuzë.

“Në 16 tetor 2017, i akuzuari McGonical plotësoi një FD-772b (formular i brendshëm i FBI-së) në lidhje me udhëtimin e tij në shtator në Shqipëri dhe Kosovë. Plotësimi dështoi në mënyrë të papërshtatshme të raportojë se i akuzuari McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë në Shqipëri dhe një politikan në Kosovë dhe në mënyrë të pavërtetë mohoi së i akuzuari McGonical kishte deklaruar punësimin e tij për një shtetas të huaj jashtë punës zyrtare të FBI-së,” shkruhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”

Sipas akuzës, McGonigal u takua me Personin A në gusht 2017 dhe e pyeti nëse ai mund t’i jepte atij para. Në 5 shtator 2017, ai udhëtoi në Shqipëri si qytetar privat, një udhëtim që e deklaroi në FBI, por për të cilin, dështoi të thotë se shpenzimet e udhëtimit do të paguheshin nga personi A dhe se gjatë udhëtimit, ai u takua me një të dytë, të quajtur Personi B, bashkë me të cilin takoi kryeministrin Edi Rama.

Personi B përshkruhet si këshilltar informal i kryeministrit Edi Rama, megjithëse kishte një adresë emaili zyrtare të qeverisë, ndërkohë që ishte i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Gjatë këtij udhëtimi, McGonigal raportohet të jetë takuar edhe me një person tjetër të përshkruar si “biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i pati kërkuar McGonigal të hetojë një tentativë për vrasje kundër tij.

“Si mbajtës i certifikatës kombëtare të sigurisë, i akuzuari McGonigal duhej të raportonte saktësisht dhe plotësisht te FBI informacionin në lidhje me kontaktet e tij me zyrtarë të huaj si dhe asetet dhe detyrimet e tij financiare,” shkruhet në aktakuzë.

Debati

Zëdhënësi i kryeministrit Endri Fuga, i kontaktuar nga BIRN, nuk iu përgjigj pyetjeve se kush ka paguar për shpenzimet e udhëtimit të McGonigal në Shqipëri, por deklaroi, pa dhënë shpjegime, se “akuzat për Charles McGonigal nuk kanë asnjë lidhje me takimet e zyrtarit të FBI në atë kohë me Kryeministrin Rama, në Shqipëri apo SHBA”. Fuga refuzoi të shpjegojë se kush është Persioni B, zyrtari joformal i kryeministrit që përmendet në akuzë.

Ndonëse as mediat amerikane dhe as zëdhënësi i kryeministrit nuk ka bërë të ditur identitetin e dy personave që janë përfshirë në këtë çështje, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një dalje për mediat zbuloi se personi A është Agron Neza, një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit me banim në SHBA dhe personi B është Dorian Duçka, një person që luan rolin e një këshilltarit të jashtëm të Ramës.

“Dy lejtnantë kryesorë të Edi Ramës, ish-zyrtari i lartë i qeverisë së tij, aktualisht paraqitet si këshilltar, një supermafioz me lidhje ndër më të dyshimtat, që quhet Dorian Duçka. Dhe i dyti, bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës, ish-oficer i policisë sekret hoxhiste, Agron Neza”, tha Berisha në një dalje të posaçme për mediat nga selia blu.

Pra nëse personi A, për të cilin flet aktakuza është Agron Neza, atëherë ai dyshohet se i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash, sipas akuzes, që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një person që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.

Këtij fakti i mëshon edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili në deklaratën e tij thekson se paratë janë dhënë nga Edi Rama dhe janë dorëzuar nga Agron Neza.

“Është zbuluar se Edi Rama, nëpërmjet Agron Nezës, i ka dorëzuar Charles McGonigal 225 mijë dollarë në një dorë. 80 mijë dollarë në një dorë tjetër, sipas medieve”, thotë Berisha.

Akuzat që rëndojnë ndaj McGonigalit lidhen me faktin se ai ka dështuar të raportojë në sistemin e mbrojtjes së integritetit të zyrtarëve të FBI-së përfitimet në para të thata dhe në mbulime shpenzimesh udhëtimi si dhe takimet me zyrtarët e huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.

Por ndryshe nga akuza që pagesën e kryer e lidh pikërisht me hetimin e një personi që ka lobuar për Partinë Demokratike në SHBA, kryedemokrati Sali Berisha thotë se e gjithë çështja zbulon lidhje të tmerrshme mafioze dhe spiunazhi.

“E vërteta është se McGonigal u thirr këtu pikërisht nga Rama për interesat ruse që ai përfaqësonte fshehtas dhe për të cilat u arrestua. Në të gjitha materialet, edhe ato direkt të Departamentit të Drejtësisë, strumbullar si persona, në afërn McGonigal janë jo vetëm këta, por me emra është Edi Rama, Agron Neza dhe Dorian Duçka. Agron Neza quhet personi A, Dorian Duçka quhet personi B. Por identifikohen fare lehtë në mediat e tjera. Kurse Rama nuk është as A, as B, por siç është, Edi Rama i lidhur kokë e këmbë, kokë e xhep me agjentin e rrezikshëm. Çfarë është zbuluar në këto lidhje të tmerrshme mafioze spiunazhi? McGonigal ka përfaqësuar një nga bosët e mafies ruse, Oleg Deripaska, i cili ose për të cilin ka lobuar te Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Por pavarësisht këtyre akuzave mediatike dhe politike kryeministri Edi Rama, ashtu si edhe zëdhënësi i tij, në një reagim në rrjetet sociale thotë se e gjithë çështja që lidhet me arrestimin e McGonigal nuk ka të bëjë fare me të.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve! Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, thotë Rama në mesazhin e tij.

Por në këtë reagim kreu i qeverisë duket se harron të përmend edhe një herë se zyrtarin e lartë amerikan e ka mik, ashtu siç ka deklaruar edhe disa muaj më parë, kur për këtë çështje u fol për herë të parë.

“Nuk ka asnjë faj, cilët rus të mitë? Shefi kundër terrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA është çështja e tij. Lëreni të flasë drejtësia në SHBA, nuk bëhet drejtësia kështu. Pres shumë më tepër se kaq, i pres të gjitha. Është e tmerrshme për këtë popull për gjithë ato që ne i konsiderojmë vlera shqiptare është e tmerrshme. Nuk kam ca të them më shumë se kaq, bëhet fjalë për një çështje që nuk ka asnjë lidhje me qeverinë shqiptarë. Nuk ka asnjë biznes të çfarëdollojshëm”, deklaroi Rama në shtatorin e vitit të shkuar teksa akuzohej për lidhjet me zyrtarin e FBI-së që ishte nën akuzë për lidhje me shërbimet sekrete ruse.

Për të zbardhur të vërtetën për këtë çështje Partia Demokratike ka kërkuar nisjen e një hetimi parlamentar.