zoom

Lajme

Lewandowski i jep lamtumirën Barcelonës: Do ta kem gjithmonë në zemrën time

Lewandowski i jep lamtumirën Barcelonës: Do ta kem gjithmonë në zemrën time

Robert Lewandowski i dha një lamtumirë emocionale stadiumit Camp Nou të Barcelonës të dielën, teksa kampionët e La Ligës, mundën Real Betisin 3-1, duke e shndërruar natën në një homazh për një nga më të mëdhenjtë modernë të klubit.

“Ishte një nder i madh të luaja për këtë klub. Gjithmonë do ta kem Barcelonën në zemrën time”, u tha Lewandowski tifozëve pas ndeshjes së fundit në shtëpi të sezonit. “Që nga dita e parë, u ndjeva si në shtëpi. Nuk do ta harroj kurrë se si kënduat emrin tim.”

Sulmuesi 37-vjeçar, i cili njoftoi të shtunën se do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit aktual, ishte figura qendrore gjatë gjithë mbrëmjes.

Trajneri Hansi Flick e emëroi atë kapiten për paraqitjen e tij të fundit në stadiumin e famshëm, duke thënë para fillimit të ndeshjes: “Ai meriton t’i jepet lamtumirë nga të gjithë tifozët.”

Orë para ndeshjes, mbështetësit u mblodhën rreth stadiumit duke veshur fanella të Barcelonës me numrin nëntë të Lewandowski-t.

Shumë tifozë polakë udhëtuan drejt kryeqytetit katalanas për këtë rast, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe duke shfaqur banderola me mbishkrimin “Lewy Legend”.

Sulmuesi polak u largua nga fusha pesë minuta para përfundimit të ndeshjes, i shoqëruar nga duartrokitjet të udhëhequra nga presidenti i klubit Joan Laporta. I mposhtur nga emocionet, Lewandowski u largua me lot në sy dhe madje harroi t’ia kthente shiritin e kapitenit.

Pas fishkëllimës së fundit, shokët e ekipit e hodhën në ajër përpara se të kthehej në fushë së bashku me gruan e tij Anna dhe dy vajzat e tyre.

Laporta i dhuroi atij një statujë përkujtimore me stemën e Barcelonës, ndërsa klubi postoi në internet: “Një prej nesh, përgjithmonë”.

Lewandowski largohet nga Barcelona pas katër sezonesh në të cilat fitoi tre tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe tre Superkupa Spanjolle. Ai ka shënuar 119 gola në pak më shumë se 190 paraqitje, duke e renditur të 14-tin në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të klubit.

Barcelona, tashmë e kurorëzuar kampione e Spanjës, e përfundon sezonin e saj javën tjetër në transfertë kundër Valencias – ndeshja e fundit e Lewandowskit për klubin.