Aplikacion
Bashkimi Evropian i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Siç shkruan Klan Kosova, krahas letrës ekskluzive, BE ka shprehur pakënaqësi për situatën politike aktuale në Kosovë e veçanërisht mosrespektimin e akt-gjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit 2025, për konstituimin e Kuvendit.
Rrjedhimisht, ka theksuar se do të pezullohen takimet mes përfaqësuesve europianë dhe Kurtit, brenda ndërtesës së qeverisë derisa kjo e fundit të jetë në funksion të plotë.
Në letrën e siguruar nga Klan Kosova nënvizohet se:
“Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë.”
Letra e plotë e dërguar nga Bashkimi Evropian, si më poshtë:
“Po ju shkruaj në emër të Shefave të Misioneve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian të pranishëm në Kosovë.
Pas akt-gjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës i cili shpalli të pavlefshme Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Nr. 01/2025 mbi Përdorimin e Pajisjeve Fiskale Elektronike, Sistemeve Fiskale dhe Programeve Fiskale Elektronike, duke u bazuar në nenin 71 të Kushtetutës që ndalon ushtrimin e funksioneve ministrore dhe parlamentare njëkohësisht, Bashkimi Evropian ka përshtatur praktikat e tij të angazhimit në përputhje me këtë vendim pas konsultimeve me Shtetet Anëtare të BE-së.
Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë.
Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional.
Kjo letër synon gjithashtu të shmangë çdo paqartësi apo keqinterpretim në të ardhmen, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë. E konsiderojmë thelbësore që angazhimet tona institucionale të jenë plotësisht të harmonizuara me kuadrin kushtetues të Kosovës dhe vendimet e gjykatës më të lartë të saj.
Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj angazhimit konstruktiv dhe është i gatshëm për kontakte dhe koordinim thelbësor. Zyrtarët e lartë të BE-së dhe të Shteteve tona Anëtare do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me homologët përkatës për të siguruar vazhdimësinë në fushat kyçe të bashkëpunimit.
Besojmë se kjo masë do të kuptohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe në dritën e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj qeverisjes së mirë dhe parimeve demokratike që gjithmonë kanë udhëhequr partneritetin tonë.
Gjithashtu, shpresojmë sinqerisht që një qeveri me mandat të plotë të formohet pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që të mund të rifillojmë bashkëpunimin e plotë me BE-në dhe të thellojmë më tej marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike.”
Kujtojmë se më 26 gusht, pas një ngërçi të gjatë politik, u zgjodh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Zgjedhja e tij është i vetmi hap pozitiv prej muajsh, për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, megjithatë nuk kanë munguar polemikat.
Votimi pro me shumicë i Bashës si kryeparlamentar i Kosovës, nuk u prit mjaftueshëm mirë nga vetë partia Lëvizja Vetëvendosje, duke u pasuar me dorëheqjet e para nga poste të rëndësishme.
Vlen të theksohet se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin të konstituohet brenda 30 ditësh, që nga 8 gushti, afat që ende nuk është zbatuar. Zoom.al/