zoom

Aktualitet

Lejoi ndërtimin pa leje të nënës, në pranga zyrtari vendor e inspektori i IKMT, 3 të tjerë hetohen

Lejoi ndërtimin pa leje të nënës dhe dy qytetarëve të tjerë, arrestohet kreu i Njësisë Golaj dhe inspektori i IKMT, teksa nën akuzë janë edhe 3 persona të tjerë.

Policia vendore njoftoi se në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, u arrestuan në flagrancë punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Vendor (IMTV), shtetasit B.U., si dhe të Administratori i Njësisë Administrative Golaj, U.D., nën akuzë për “shpërdorim detyre”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

“Në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.116, viti 2024, me metoda speciale të hetimit, masa e arrestit u kërkua pasi punonjësi i IMTV, B.U., rezulton se nuk ka marrë masa për ndërtimet pa leje të konstatuara gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë që edhe Kryetari i Njësisë administrative në abuzim me detyrën nuk ka sinjalizuar ndërtimin pa leje të nënës së tij, por e ka lejuar të vazhdojë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës vijon hetimet për këtë çështje”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në gjendje të lirë u proceduan edhe tre shtetas të tjerë në lidhje me këtë çështje, shtetasi K.L., inspektor në IMTV për veprën penale “shpërdorim detyre”, si dhe shtetasit Z.D., dhe M.M., nën akuzë për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”. /ZOOM.AL/