zoom

Sport

Legjionarët në telashe, dyshja Broja-Hysaj drejt largimit nga Chelsea dhe Lacio

Pak javë para nisjes së Evropianit të Gjermanisë, shumë legjionarë të kombëtares kuqezi nuk po kalojnë momente të mira. Mes tyre Broja dhe Hysaj, respektivisht i pari i huazuar nga Chelsea te Fulham dhe i dyti te Lacio, pas ikjes së Sarrit.

Chelsea po mbyll një tjetër sezon larg Evrope, larg çdo objektivi sezonal. Me laps e letër në dorë, drejtuesit e klubit po përgatiten për një tjetër revolucion në shkallë të gjerë. Sipas mediave angleze, nga Londra pritet të largohen gjatë verës jo pak por 11 lojtarë, mes tyre edhe Armando Broja.

Sulmuesi kuqezi u largua gjatë janarit në formë huazimi pa asnjë obligim, një huazim i thatë, për t’u rikthyer te Chelesa në verë. Pavarësisht këtij fakti, fati i Brojës është i shkruar, në verë do të largohet, nuk bën pjesë në planet e klubit.

Nuk parashikohet një qëndrim i tij te Fulham pasi ky huazim shkoi shumë keq. Broja mbetet një lojtar për të cilin interesohen ende shumë klube, një prej tyre është edhe West Ham. Në fakt, “çekanët” u interesuan për Brojën edhe gjatë janarit, kanë shfaqur interesim edhe në të kaluarën, por kjo shihet vera e duhur për të paraqitur një ofertë zyrtare.

Përcaktues në të ardhmen e Broja është dhe kërkesa e klubit të Chelsea-t, nëse blutë ulin pretendimet e tyre prej 50 milionë euro, atëherë klube si West Ham mund të futen në garë për të blerë kartonin e sulmuesit shqiptar.

Një tjetër legjionar ndodhet në telashe merkatoje. Në Itali janë të sigurt, Elseid Hysaj do të largohet nga Lazio në fund të këtij sezoni. Ndryshimi i stafit teknik, me Tudor në stol, shtyn gjithnjë e më shumë palët drejt një divorci, në një kohë kur trajneri i ri i aplikon një skemë të re.

Me Turdor, hapësirat për Hysajn janë me pikatore. Largimi i Sarrit nga Lazio, mentori i tij më i madh, është një tjetër arsye që anësori kuqezi të largohet nga kryeqyteti. Ndryshim i stafit te Lazio është një lajm i keq edhe për Sylvinho-n pasi Hysja pritet të shkojë në Evropian me pak minuta në këmbë. /ZOOM.AL/