zoom

Aktualitet

Kuvendi i kërkon Konkurrencës të monitorojë dhe hetojë projektin “Durrës Yacht & Marina”

Kuvendi i kërkon Konkurrencës të monitorojë dhe hetojë projektin “Durrës Yacht & Marina”

Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës që për vitin 2023 të ketë në fokus monitorimin dhe hetimin e sjelljeve të ndërmarrjeve të cilat gëzojnë pozitë dominuese nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare në fuqi apo atyre të rejave si: Projekti i investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësi.

Por cila është arsyeja që kërkohet monitorimi i këtij projekti ende nuk bëhet e ditur. Ajo është thjesht rekomandim në projektrezolutë e cila përmendet si ndërmarrje me pozitë dominuese, që sipas ligjit të konkurrencës janë ndërmarrje me rrezik dhe me potencial qe të shtremberojnë tregun.

Po ashtu, Kuvendi ka kërkuar monitorim të tregut të shërbimeve spitalore private, lidhur me ndryshimet e pronësisë së tyre.

Një treg tjetër delikat ku organi legjislativ i kërkon AK-së të monitorojë edhe kompanitë telefonike, që kanë bërë transaksione dhe struktura e tregut tashmë ka ndryshuar.

Kërkesa tjetër për Konkurrencën është të veprojë në kohën e duhur për ndëshkimin e operatorëve të tregut me sjellje të përsëritur në shkelje të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit.

Kuvendi kërkon që AK-ja të nxisë bashkëpunimin me Agjencinë e Prokurimit Publik për raportimin e rasteve të dyshuara në shkelje të konkurrencës dhe të jetë më proaktive në zbulimin e marrëveshjeve të ndaluara në fushën e prokurimeve publike.
Të mbikëqyrë me prioritet dhe të dalë me rekomandime konkrete për tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit shqiptar si: tregu i prodhimit të qumështit dhe nënproduktet e tij, tregu i ushqimeve dhe sidomos artikujt bazë të shportës, tregu i karburanteve, tregu i materialeve të ndërtimit, etj Të vijojë përpjekjet për sigurimin e mbështetjes financiare për digjitalizimin e arkivës dhe protokollit të Autoritetit. Të vijojë promovimin e kulturës së konkurrencës përmes intensifikimit të marrëdhënieve me botën akademike, strukturat e biznesit dhe institucionet e tjera publike e private për çështjet e rregullimit të tregut, mbarëvajtjes së konkurrencës dhe mirëqënies së konsumatorit.

Të vijojë zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar i Integrimit Evropian (PKIE) në drejtim të përafrimit të legjislacionit me direktivat evropiane në fushën e 3 konkurrencës.
Të forcojë kapacitetet administrative, nëpërmjet trajnimit të stafit me qëllim rritjen e cilësisë së monitorimit, inspektimit, hartimit të raporteve, analizave dhe mbrojtjes së vendimeve të KK në të gjitha shkallët e gjyqësorit.