Aplikacion
Ditën e sotme u ekstradua nga Italia drejt Shqipërisë një nga personat më të kërkuar prej drejtësisë shqiptare, Aleks Ndreka, i njohur ndryshe si “Leksi i Druve”.
Arratia e tij përfundoi në qershor të vitit 2024, kur autoritetet italiane e arrestuan në aeroportin e Malpensës, në Milano. Që prej 7 qershorit, kur iu vunë prangat, nisi edhe bashkëpunimi mes palës shqiptare dhe asaj italiane për procedurat e ekstradimit, që u finalizuan sot.
Ndreka konsiderohet një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri, ndërsa është përmendur edhe në akuzat publike të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili e lidh atë me vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka, i cili pretendon se ka qenë pikërisht “Leksi i druve” që ka futur në Shqipëri vrasësin që i mori jetën vëllait të tij.
Sipas burimeve asokohe, konfliktet dukej se do të mbylleshin përkohësisht përmes një pajtimi në kishë me ndërmjetësimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, që më vonë përfundoi i ekzekutuar.
Gjithashtu, Ndreka ka qenë në kërkim edhe në kuadër të operacionit të bujshëm “Metamorfoza”, ku ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurim të mjeteve për kryerjen e vrasjeve.
Më 23 korrik 2023, pas një dosjeje të ardhur nga autoritetet franceze, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK, firmosi 15 urdhër-arreste në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Në këtë dosje u përfshinë disa emra të njohur, mes tyre biznesmeni Pëllumb Gjoka, si dhe ish-zyrtarë të policisë dhe drejtësisë. Ndërkohë, një pjesë e të dyshuarve, përfshirë edhe Aleks Ndrekën, u shpallën në kërkim ndërkombëtar.
I përfshirë në disa atentate
Emri i Aleks Ndrekës ka dalë në hetimet e SPAK, ku dyshohet se ka qenë objektiv i një atentati të organizuar nga Arjan Tuku. Ai rezulton të ketë qenë disa herë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe atentateve të dështuara ndër vite, përfshirë edhe një tentativë të dyshuar me dron.
Një nga ngjarjet më të rënda është ajo e vitit 2020, kur Ndreka u plagos në një atentat në superstradën Lezhë–Laç. Edhe pse i plagosur, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të paraqitej vetë në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore. Autorët në atë rast arritën të zhdukin gjurmët, pasi dogjën automjetin në fshatin Pllanë.
Sipas hetimeve, Aleks Ndreka dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e informacioneve për vendndodhjen e disa personave, mes tyre Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Prekë Kodrën për organizimin e atentateve ndaj tyre./ Zoom.al