Aplikacion
Investigimi i RAI 3 ekspozoi një emër: Ergys Agasi.
Një ish-drejtor i Mjedisit në qeverinë Rama 1, Agasi, sipas ish -kryeministrit Arben Ahmetaj, që RAI 3 e ka filmuar në fshehtësi, është personi që mban lidhjet e grupeve më të forta kriminale me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
“A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”, thotë Ahmetaj.
Rai 3 sjell në vëmendje se Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi. Përveç të tjerash ai rezulton pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.
“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet” – thotë Arben Ahmetaj.
Takimet me bosët e krimit, zbulon Ahmetaj, Edi Rama i bën në zyrën e tij, në sallën e mbledhjeve.
“Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” –rrëfen Ahmetaj për RAI3.
Gazetari i “Report” e ka pyetur vetë kryeminsitrin për lidhjet me Ergys Agasin. Ndoshta i befasuar nga ekspozimi i Agasit, Rama nuk dha asnjë përgjigje të qartë, por tentoi ta shmangte duke i kërkuar gazetarit që të mos përmendte emra personash që nuk ishin prezent.
Rai3: “Po edhe media shqiptare flasin për Agasin si njeriu hije i pushtetit tuaj. Është kështu apo jo?”
Rama: “Jo. Mediat shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediat shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha”, shprehet Rama, duke mos hedhur poshtë akuzat e Ahmetajt.
Por kush është Ergys Agasi, i akuzuar si ndërmjetës mes Ramës dhe botës së krimit?
Ai konsiderohet si një nga personazhet nën hije që lëviz urdhrat e pashkruara të Edi Ramës . Disa media e kanë portretizuar si një “djalosh që s’mbaroi as gjimnazin dhe që kapej duke pirë hashash, kurse sot “lëviz si hije në errësirë”.
CNA kujton se Ergys Agasi ishte fillimisht njeriu i Ilir Metës. Ai kaloi me Edi Ramën pas shkëputjes së koalicionit. “Influencat e Agasit shkojnë deri në skutat e errëta të qyteteve problematike si Shkodra, Elbasani apo Shkozeti, ku qëndron si hija në errësirë e Ramës”, raporton portali që ka denoncuar jo pak skandale.
Përmenden takimet e tij në “Equos Resort”, ku me dhjetë bodyguard-ë duhet të qëndrojnë njerëzit në radhë, duhet të ketë distancë për të takuar Ergys Agasin. “Dhe e gjitha kjo ndodh vetëm e vetëm për të folur me Agasin, për të zgjidhur hallet dhe problematikat në institucionet e ndryshme shtetërore, që shkojnë deri te lojërat dhe skemat me Erion Veliajn për të emëruar Alfred Ballën ministër Drejtësie”, raporton media në fjalë.
Është raportuar edhe për takime jozyrtare të Ergys Agasit me Edi Ramën në “Vilën 30. Udhëtimet e tij në Dubai që përkojnë me vizitat e kryeministrit e deri te pronarët e mediave kryesore. Sikurse edhe influenca e Agasit ndaj Sonila Qatos sot nën hetim nga SPAK-u, miqësitë me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton dhe zyrat e tyre në ish-Bllok, makinat luksoze dhe pazaret që shkojnë deri tek inceneratorët.
Mediat hedhin dyshime se Agasi bënte edhe emërime zyrtarësh në poste me rëndësi, por pa dhënë emra konkretë.
Dy vite më parë, portali “Shqipëria Etnike” publikonte një material në lidhje me ish-zyrtarin Agasi, duke përmendur edhe hetime të SPAK për mosdeklarim apo fshehje pasurie, në lidhje me vilën në Palasë me vlerë 1 mln euro apo një orë “Rolex”, me vlerë deri 18 mijë euro.
“Mes emrave në dokumentet voluminoze figuron edhe Ergys Agasi, ish drejtor i LSI-së në krye të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, një nga nëndegët e shtetit më të përfolura për afera dhe favorizime në kurriz të degradimit të mjedisit. Vila e Agasit ka një vlerë rreth 1 milionë euro, ndërsa e ka regjistruar në emër të familjarëve të tij me një vlerë dy herë më të ulët. Ka dyshime të forta se vila është blerë nga Agasi me paratë e korrupsionit kur ishte në krye të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, me lejimin e prerjes së pyjeve, hedhjen e mbetjeve spitalore nëpër kazanë plehrash dhe lumenj, me guroret, kafshimin e shtratit të lumenjve, ndërtimet etj”, shkruante portali.
Më tej theksohet se Ergys Agasi është bashkëpronar me Edmond Bllakon, i kompanisë së transportit ndërkombëtar të mallrave ‘EA LOGISTICS’. Edmond Bllako është babai i Alqi Bllakos, i arrestuar nga SPAK për çështjen e inceneratorëve. Kompania kontrollohet nga Alqi Bllako dhe Ergyes Agasi, ku dyshohet se qarkullojnë para të dyshimta. Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist të Durrësit, Bardhyl Agasi. /ZOOM.AL/