Aplikacion
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin në samitin dyditor që mbahet më 30 qershor dhe 1 korrik në Shkup.
Në mesin e folësve kryesorë do të jenë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mbrëmjen e 30 qershorit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do të presë një darkë formale për liderët e rajonit dhe zyrtarët evropianë në “Winery Kamnik”. Në të njëjtin ambient, ministrat për çështje evropiane dhe partnerët zbatues do të zhvillojnë një darkë paralelisht.
Në 1 korrik, pjesa kryesore e samitit do të zhvillohet në “Hilton Double Tree Hotel” në Shkup, ku do të vlerësohet Plani i Rritjes, do të diskutohen propozimet për iniciativa të reja dhe do të theksohet bashkëpunimi ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal. Programi përfshin dy panele diskutimi dhe do të përmbyllet me konferencë për media dhe drekë zyrtare.
Në takim do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, si dhe përfaqësues të BE-së, BERZH-it, Bankës Botërore dhe organizatave rajonale.