zoom

Aktualitet

Kurbin, ferma e bagëtive u kthye në laborator kanabisi/ Shpallet në kërkim drejtori i Kadastrës

Në buzë të rrugës, vetëm pak metra larg zonës së banuar, një fermë bagëtish në Fushë-Gjormë, Kurbin, ishte kthyer në një laborator për kultivimin e kanabisit. Në pranga është vënë një person si dhe është shpallur në kërkim Drejtor i Kadastres së Kurbinit Edmond Stojani.

41-vjeçari së bashku me 24 vjeçarin, Vranicki Hiskun, i cili është arrestuar në flagrancë, kishin kthyer një magazinë (stallë bagëtish) të marrë me qira, në një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Po ashtu policia ka sekuestruar në pronën e 21-vjeçarit një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Sakaq në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike.
Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Vranicki Hisku është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.