zoom

Ide & Blog

Kur Rama i kërkonte Kinës të mendonte 3 minuta për Shqipërinë

Irena Beqiraj

Kur zoti të ndihmon dhe Kina nuk mendon 3 minuta në ditë për Shqipërinë…

Në pranverën të vitit 2017, Zëvendëskryeministri i Kinës takoi në një mëngjes punë Kryeministrin Rama, në Pallatin e Brigadave . Pasi u kujtua kënga “Dy luanë ka sot bota, një Azia një Europa”, shoqëruar me komentin që Kina u shëndrua në ” luan ” ekonomik botëror, ndërsa Shqipëria mbeti një mace e dobët e paushqyer, Kryeministri ynë shtoi:

“- Mikut tim Erdoğanit i kërkova që të harxhonte 30 min në muaj për Shqiperinë, ndërsa juve po ju kërkoj vetëm 3 minuta”.

Çfarë do të kishin prodhuar 3 minuta në muaj nëse Kina në ato minuta “do të mendonte” për Shqiperinë?

Hgjemonia ekonomike e Kinës, ka disa karakteristika që nuk duhen anashkaluar dhe as nënvlerësuar. Sipas laboratorit kërkimor AidData në Ëilliam & Mary të universitetit të Virxhinias, gjatë një periudhe 18-vjeçare, Kina ka dhënë hua për 13,427 projekte infrastrukturore me vlerë 843 miliardë dollarë në 165 vende.

Pjesa më e madhe e këtyre parave është e lidhur me strategjinë ambicioze të Presidentit Kinez Xi Jinping “Një brez dhe një rrugë”.

Duke filluar nga viti 2013 Kina po përdor ekspertizën e saj në projektet e infrastrukturës dhe valutën e bollshme të huaj, për të ndërtuar rrugë të reja tregtare globale.

Por, studimi i fundit i Institutit të Kielit për ekonominë botërore sugjeron se gjysma e të gjithë borxhit të huaj ndaj bankave dhe institucioneve shtetërore kineze është “e fshehur” nga bazat e të dhënave normale.

Rrjedhimisht, “nivelet e borxhit dhe barra e shërbimit të borxhit në 24 vende në zhvillim janë shumë më të larta se sa mendohej”.

Përtej sasisë se lartë edhe shpesh të fshehur në mënyrë shqetësuese, Kina shërben si huadhënës i mundësisë së fundit. Kreditë e saj janë te shtrenjta, zakonisht sigurohen kundrejt zërave te caktuar të të ardhurave të sektorit publik, pasuri natyrore ose vepra publike dhe kushtet e tyre rrallë bëhen publike.

Strategjia e Kinës për kreditimin e vendeve ne zhvillim është e njëjtë me qasjen e ndërmarrë nga fuqitë e mëparshme koloniale, ashtu si edhe nga huadhënësit informalë në vendet në zhvillim.

Amit Bhaduri në një punim klasik të vitit 1977 në Gazetën e Ekonomisë së Kembrixhit, thekson se huadhënësit informalë ( fajdexhinjtë) zakonisht nuk shqetësohen për dështimin e huamarrësit; përkundrazi, ata shqetësohen nëse huamarrësi nuk falimenton, sepse vetëm në rast falimentimi ata mund të nxjerrin një fitim më të madh duke konfiskuar kolateralin.

Për shembull porti Hambantota, ishte projekti më i dashur i Mahinda Rajapaksa, presidentit të Sri Lankës në periudhën 2005 – 2015. I financuar kryesisht me paratë kineze, porti u hap në vitin 2010 në ditëlindjen e Mahindës. Por kur Sri Lanka më vonë dështoi për të shlyer borxhin e Ndaj Kinës kjo “dhuratë” u bë kolaterali i konfiskuar. Kina tani ka portin ne perdorim per 99 vjet.

Përtej natyrës kolonializuese, karakteristika tjetër e “shpëtimit” financiar kinez për vendet në zhvillim, është e lidhur ngushtë me mbështetjen politike në Kombet e Bashkuara.

E pra, nëse ato tre minuta në muaj do të kishin shërbyer që Kina të mendonte për Shqipërinë, me gjasë nuk do të ishte bashkë penë mbajtese me SHBA-në kundër Rusisë.

Pozicioni i Kinës si financues në 165 vende të botës, edhe pse me kushte shumë disfavorizuese, padyshim ka dobësuar pushtetin e Perëndimit mbi këto vende, si edhe minon zbatimin e sanksioneve te vendosura nga ai, nëse Kina është kundër tyre, siç është shprehur presidentit kinez Xi Jinping, në rastin e sanksioneve kundër Rusisë.