zoom

Ide & Blog

Mikrokredia: mjet shfrytëzimi apo fuqizimi?

Nga Irena Beqiraj

Një i njohuri im mund të humbasë shtëpinë, sepse mori 200 mijë lekë hua, pa e kuptuar se do të duhej të kthente më shumë se dyfishin e saj brenda një viti. Mijëra shqiptarë të tjerë mund të jenë në situatë të ngjashme: Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se interesat e mikrokredive konsumatore arritën në 118,96 përqind gjatë vitit 2023. Gjendja do të vazhdojë e njejtë edhe në vitin 2024. Për këtë vit, Banka e Shqiëprisë parashikon që interesi i kredive konsumatore deri në 200 mijë lekë të arrijnë në rreth 100 përqind. Pra, një qytetar që do marrë 200 mijë lekë kredi, do duhet të kthejë në fund të vitit maksimalisht 400 mijë lekë bashkë me interesat. Për të njëjtën vlerë kredie, maksimumi që duhet të kthente në 2023 ishte 437 mijë lekë—një përmriësim i vogël nga një vit më parë.

Profesori Nobelist Muhammad Yunus, i konsideruar si babai i biznesit “social” të mikrokredive, thotë se “kredia është një e drejtë e njeriut dhe duhet trajtuar si e tillë”. Ai beson se mikrokredia u mundëson të varfërve të dalin nga varfëria, duke u siguruar atyre mjete financiare për të realizuar potencialin e tyre sipërmarrës, sepse të varfërit janë po aq të zotë në lojën e tregut sa kushdo tjetër.

Dekadat e fundit, dhënies së kredive të vogla për njerëzit e varfër është konsideruar zgjidhja e artë për t’u dhënë më të varfërve mundësi për një jetë më të mirë. Por jo çdo gjë në praktikë shkoi siç mendohej në letër. Vetë Yunus e pranon se mikrokredia nga një “mundësi për të ndihmuar njerëzit që të dalin nga varfëria por kthehet në një mundësi për të fituar para nga njerëzit e varfër.”

Kjo duket se ka ndodhur në Shqipëri, për një sërë faktorësh. Së pari, huadhënësit në vend të normave të pranueshme kanë aplikuar norma shfrytëzuese interesi; së dyti, në vend që mikrokreditë të përdoreshin për të realizuar potencialin sipërmarrës, shumica e tyre janë përdorur për financimin e konsumit, prandaj ato kanë pasur ndikim minimal në rritjen e të ardhurave të kredimarrësve; së treti, taktikat agresive të mbledhjes së huave, shpesh të organizuara nga grupe me interesa të lidhura, dhe mosveprimi në kohë i institucioneve regullatore kanë rezultuar në zhvatje masive të huadhënësve që nuk kanë mundur të shlyejnë në kohë.

Normë interesi e pranueshme apo normë interesi shfrytëzuese?

Sikurse përmenda më sipër të varfërit që do të marrin mikrokredi këtë vit do të duhen të kthejnë mbrapsht dyfishin e shumës së huasë, si pasojë e interesave marramëndëse. Të marrësh 200 mijë lekë hua dhe të paguahs për një vit 400 mijë lekë është një kosto që mund do të rrënonte këdo, e jo më të të varfërit. Yunus thotë se normat e interesit duhet të jenë vetëm rreth 10–15 përqind më të larta se kosto e sigurimit të kapitalit. Pra, nëse kosto mesatare e sigurimit të kapitalit, sigurimit të fondeve që përdor për të dhënë hua, për një institucioni mikrokredie është 15 përqind, atëherë interesi i mikrokredive duhet të ishte midis 25 përqind dhe 30 përqind. Sipas Yunus, interesat më të lartë se ky nivel janë abuzive.

Padyshim një institucion mikrokredie ka kosto më të larta operative pasi kushton më shumë të trajtosh dhjetë kredi nga 30 mijë lekë sesa një kredi 300 mijë lekë. Por pyetja që pret përgjigje mbete: Edhe nëse kostot e sigurimit të kapitalit dhe ato operative justifikojnë interesin në nivelin 100 përqind, kujt i shërben ky biznes? Me norma të tilla mikrokredia nga ndihmë që njerëzit të dalin nga varfëria është kthyer në mundësi për të fituar para nga njerëzit e varfër.

Ndërsa industria e mikrokredive në Shqipëri po rritet dhe po bëhet përherë e më agresive duke pretenduar se janë në gjendje të sigurojnë fonde nga burime tërësisht private (Kredo Financë madje po kërkon të emetojë për herë të parë në Shqipëri obligacione me ofertë private), përvoja botërore tregon se institucionet e mikrokredisë aplikojnë interesa të arsyeshme vetëm kur një pjesë të kapitalit e sigurojnë nga fondet me norma shumë të ulta të dhëna nga qeveria apo donatorë ndërkombëtare.

Mikrokredi për nxitjen e sipërmarrjes mes shtresave të varfëra, apo mikrokredi për financimin e konsumit?

Në vitin 1997, Banka Grameen dhe kompaninë norvegjeze Telenor krijuan në Bagladesh një skemë mikrokredie për të financuar blerjen e një telefoni celular nga gratë, të cilat më pas e përdorin atë për të ofuar telefonata me pagesë shtesë në lagjet e tyre. “Zonjat e telefonave” krijuan të adhura nga $750 deri $1200 në vit, kur të ardhurat mesatare vjetore për frymë në Bangladesh ishin rreth $300. Ky shembull ilustron atë që kanë provuar edhe shumë studime: mikrokredia është e dobishme vetëm kur financon një mjet, apo një ide që i mundëson humarrësit krijimin e të ardhurave shtesë.

Ndërsa filloi si mundësi financimi për sipërmarrjeve të vogla individuale, mikrokredia tashmë është zhvendosur tek fimancimi i konusmit—individëve, përfshirë ata me të ardhura të pakta u jepet mundësia të blejnë me kredi me interesa shumë të larta mallra e shërbime (celularë, fshesë me korent, lavatrice, pushime, etj.). Me këto kredi, mund të blihet edhe alkol, drogë dhe kënqen vese të tjera.

Mikrokreditë e përdorura për konsum nuk japin asnjë mundësi për të krijuar të ardhura shtesë—ato thjesht i zhysin individët në borxh. Thomas Dichter, studies i njohur i programeve mikrofinanciare, thekson se asnjë individ nuk del nga varfëria duke marrë mikrokredi; çfarë i jep fund varfërisë është kombinimi i punës dhe kapitalit.

Komercializimi i skajshëm, interesat e larta, lehtësia për marrjen e mikrokredive konsumatore që nuk krijojnë të ardhura shtesë, është shoqëruat dekadën e fundit me taktika agresive të grumbullimit të tyre. Për pasojë, në kushtet e mungesës së mbrojtjes së kredimarrësve nga huatë me interesa shfrytëzuese, shumë familje të varfra gjenden në vështirësi financiare dhe më të rrënuara se ma parë.

Përvoja, kjo mësuese e vrazhdë, të cilën politikëbërsit tanë kanë aftësi mbresëlënese për ta injoruar, tregon se zhvillimi ekonomik dhe ulja e varfërisë janë armiqtë e natyrshëm të “lumturisë” (fitimeve) të shërbimeve mikrofinanciare dhe anasjelltas. Sipas raportimeve zyrtare, për vitin 2023 në Shqipërinë tone, kompanitë e mikrokredisë dyfishuan fitimet. Është e qartë se kush e ka fituar deri tani në këtë betejë.