zoom

Ide & Blog

Kujt i duhet teatri Alibeaj – Balla për presidentin e ri?

Pothuajse askush nuk ka ndonjë dyshim se Edi Rama e ka piketuar tashmë presidentin e ri të Republikës. Të gjithë e kanë parë se ai nuk do që t’ia lërë opozitës që ta propozojë. Do ta votojë atë i vetëm me 71 vota në raundin e tretë. Për këtë arsye raundi i parë u dogj, sepse Rama nuk paraqiti asnjë kandidat. Duke mos e bërë publik emrin e tij/saj, ai nuk po u jep kohë kundështarëve e kritikëve që ta sulmojnë. Kur emri të dalë, kandidati do të votohet në më pak se 24 orë dhe nëse do të jetë në qendër të kritikave, do të jetë tepër vonë.

Ky është skenari që po luhet nën regjinë e Edi Ramës. Në të vërtetë i gjithë procesi është një “One man shoë”. Ata që shohin opozitën në skenë, duhet ta kuptojnë se ajo është vetëm në rolin e figurantit.

Opozita po përpiqet t’u tregojë shqiptarëve se Edi Rama po e “zapton” edhe Presidencën. Por ajo nuk është e sinqertë. Ajo nuk e ka në dorë zgjedhjen dhe duke vënë kushte, të cilat as kanë gjasë të realizohen dhe as e bllokojnë dot procesin, vetëm sa tregon sa e pafuqishme është. Kushtetuta ia ka bërë të qartë se mazhoranca mund ta zgjedhë edhe me 71 vota, të cilat ajo i ka. Ajo po ashtu e zgjodhi dy herë e vetme presidentin, në 2007 Bamir Topin dhe në 2012 Bujar Nishanin. Prandaj ajo do të duhet t’u tregonte qyetarëve se nuk ka pse legjitimon një proces ku Edi Rama as po e pyet e as ia ka nevojën. Ajo thjesht duhet të bentë mënjanë. Shqiptarët do ta kuptonin me lehtë që Rama e “pushtoi” edhe selinë në fund të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ishullin e fundit institucional që nuk ishte deri tani në duart e tij.

Nëse do të donte vërtet një rol protagonisti, opozita duhet ta kuptonte që për ta propozuar ajo presidentin, do të duhet të kishte arritur me Edi Ramën një marrëveshje politike. Nëse kjo marrëveshje nuk ekziston, prania e saj në teatrin e Edi Ramës është ajo e një spektatori që legjitimon një pjesë, të cilës i është zbuluar skenari që në aktin e parë.

Teatri që po luhet këto ditë në Kryesinë e Kuvendit, mes Enkelejd Alibeajt dhe Taulant Ballës, as që ka gjasë ta ndryshojë rrjedhën e pjesës që Edi Rama ka shkruar ende pa i sosur ditët Ilir Metës. Ai e di që në Presidencë nuk do të duhet të ketë një kokçarës tjetër si ish -kryetari i LSI. Për të qenë i tillë, presidenti që i tij do të duhet të jetë jo më detyriisht një personazh me integritet, por para së gjithash një ushtar/ushtare e bindur, që zor se do të mund të dalë nga rreshti. /Zoom.al