zoom

Aktualitet

KUJDES! Hakerat mund t’ju vjedhin paratë në bankë përmes kësaj skeme mashtrimi

KUJDES! Hakerat mund t’ju vjedhin paratë në bankë përmes kësaj skeme mashtrimi

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një skemë mashtruese që po qarkullon ditët e fundit në vend, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.

Sipas njoftimit zyrtar, persona ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe të rreme që përmbajnë linqe, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare apo verifikimi i llogarive të qytetarëve.

Pas klikimit në link dhe vendosjes së të dhënave personale apo bankare, autorët arrijnë të aksesojnë llogaritë dhe të vjedhin paratë.

Për këtë arsye, qytetarëve iu bëhet apel të mos bien pre e kësaj skeme dhe të mos klikojnë asnjë link.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit informon opinionin publik lidhur me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.

Shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.

Policia e Shtetit thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.

Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve:

Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura;

Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online;

Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore);

Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit vijon të ndjekë me prioritet këto raste dhe po bashkëpunon ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.

Respektoni sigurinë tuaj digjitale!
Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!/ Zoom.al

Postime të lidhura