zoom

Aktualitet

Ku shkuan 1.15 miliardë eurot e rindërtimit? Kompanitë që u favorizuan, përfituese të parave të inceneratorëve

Më 26 nëntor 2019, një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë duke lënë pas 51 viktima, rreth 3 mijë të plagosur dhe mijëra të pastrehë. Autoritet shtetërore u angazhuan në aksione intensive për të strehuar fillimisht çdo banor, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti. Aso kohe ish-ministrja Olta Xhaçka tha: “Viti 2020 do të jetë definivisht viti i ndërtimit. Jemi të angazhuar për të bërë të gjithë faktorët bashkë, Qeverinë, pushtetin vendor edhe qytetarët që procesi i rindërtimit, pavarësisht nga problematikat që duhen kapërcyer nga procedurat po bëjmë çmos t`i ndërtojmë sa më shpejt”!

Qindra kontejnerë u vendosen nëpër fshatra e qytete ku tërmeti kishte shkaktuar dëme. Zyrtarët e lartë thanë se kontejnerët do të ishin një zgjidhje e përkohshme. Shumë prej atyre që jetuan disa ditë, javë apo muaj, u transferuan nëpër banesa me qira. Por për shumë prej tyre kontejneri do të mbetej e vetmja strehë deri sot.

Have Lleshaj bashkë me fëmijët e saj dhe bashkëshortin jeton në kontejner prej pesë vitesh. Ndërsa tregon se në momentin e rënies së tërmetit, “ishte një natë shumë e tmerrshme, kur dëgjuam se po binte tërmet. Në momentin që donin të hapnim dyert, dyert nuk u hapeshin. Dhe unë që isha edhe vetë shtatzënë e kam përjetuar shumë keq. Ndoshta si një traumë më ka mbetur, sa dëgjoj një zhurmë ulëras për të ikur, ose marrë fëmijët për të dalë jashtë. Por ne jemi shumë bukur, kur kujtojmë se në Thumanë shumë njerëz kanë vdekur duke mbutuar nën rrënoja. Por mirë, falë Zotit, ne jemi shëndosh e mirë”. Kontejneri është i vendosur afër banesës së saj të dëmtuar nga tërmeti. Ajo thotë se gjatë ditës qëndron bashkë me fëmijët brenda mureve të shkatërruara sepse hapësira në kontejner është e pamjaftueshme, në vapën e verës e pabanueshme dhe në dimrin e ftohtë gjithashtu. Lleshaj shton se “Bashkia na ka thënë të mos hyjmë brenda. Nuk kam ku të vete tjetër, nuk kam ku të gatuaj. Të marrë gazin ta vendos jashtë, nuk bën. Këtu është një hapësirë e vogël” .

Have Lleshaj nuk është e vetmja që vazhdon të jetojë në kontejner prej pesë vitesh. Por ka një ndryshim nga të tjerë sepse beteja e saj prej pesë vitesh është e ndryshme, më e vështirë, sepse njëri prej fëmijëve të saj ka probleme kronike shëndetësore.

Sipas Arlin Qorrit, kryetar i Lëvizjes “Bashkë”: Po ashtu duhet thënë se pavarësisht se ka ende qytetar që nuk kanë bonus qiraje janë në rrugë pasi do të ishte detyrim bazik i shtetit për dëmin e shkaktuar nga tërmeti dhe jo vetëm nga tërmeti por që ju t`i ktheheni normalitetit një orë e më përpara”. Nuk është fjala për disa kushte që mungojnë as për disa vështirësi në përballimin e jetesës, është fjala për histori mbijetese në kufijtë e të pamundurës. Sepse ajo thotë se nuk ka asnjë ndihmë nga shteti, as bonus, as mbështetje sociale. Hava Lleshaj tregon: “Jam prind i dy fëmijëve, jetoj në Thumanë, sikurse ju e shikoni. Shtëpia ime është e dëmtuar nga tërmeti i 2019-s dhe që nga ky vit e deri tani ne jetojmë në një kontejner. Shtëpia është caktuar si e pa banueshme dhe nga pamundësia për të jetuar me qira ne kemi jetuar këtu”. Have Lleshaj ka ende shpresë dhe vazhdon tu lutet dëshpërimisht institucioneve për t`i ndërtuar shtëpinë e premtuar. “S’kemi pasur ku të shkojmë në tjetër vend. Shyqyr që një kishë na ka dhuruar këtë kontejner e jetojmë në të. Dhe asgjë, nga shteti nuk kemi marrë akoma, asnjë gjë. Shpresoj dhe uroj ta marrim dhe ta ndërtojmë këtë shtëpi, pasi se di si do të jetojmë më gjatë. Kërkesa më e madhe është të mi japin ato lekë, të ndërtoj shtëpinë e të fus fëmijët brenda. Dhe shpresoj të bëhet diçka më mirë, për fëmijët që janë me sëmundje kronike sikurse është vajza ime. Kjo shtëpi do të ndërtohet sërish nga fillimi. Na kanë thënë që do t`i marrim por deri tani nuk na kanë thënë një afat.”

NDËRTIMI I PALLATIT NR. 14!

Drama përsëritet në personazhe të tjerë, viktima të goditjes natyrore nga tërmeti por më shumë viktima të braktisjes nga shteti. Padyshim ka shumë prej tyre që kanë hyrë në banesat e reja të ndërtuara nga shteti. Por a janë në çdo rast banesat e premtuara?

“Vetting” ka zbuluar në terren skandalin e ndërtimit të pallatit nr. 14 në Thumanë, ku hyrjet e katit të parë janë të pabanueshme për shkak të problemeve të rënda gjatë ndërtimit. Liza Tuci e mori me gëzim çelësin e shtëpisë së re por shpejt do të bëhej e pabanueshme.

“Për këtë shtëpi unë kam vërejtje sepse këtë shtëpia e kanë gjashtë kalamaj dhe unë shtatë. Kjo është pasuri e paluajtshme e burrit tim dhe e imja. Problemi është se kanë hyrë ujërat e zeza e kanë mbuluar këtu dhe brenda duke shkatërruar dyert, deri këtu ujë. Unë kam hyrë me çizme për të pastruar këtë vend”. 76-vjeçarja thotë se ia prishën gabimisht shtëpinë, sepse banesa e saj nuk ishte dëmtuar nga tërmeti. Ajo pretendon se vendimi ishte abuziv dhe se ishte me qëllim të qartë që aty të ndërtohej ky pallat. Sipas saj “nga tërmeti, u prish çatia lartë, e lanë që shtëpia do të rregullohet, nuk donin ta prishnin shtëpinë time. E prishen ata që do të rindërtonte shteti. Asnjë gjë, asnjë plasë për Zotin nuk e ka pas shtëpia ime. Unë kam vajtur tek komuna, iu kam thënë mos ma prishni shtëpinë, pasi shtëpia ime është në rregull. Do të prishet, do të rindërtohet Thumana. Unë nuk e pengoj rindërtimin, por ama të më rindërtojnë edhe shtëpinë time. Mua më kanë thënë metrat katrorë do t`i marrësh”. Institucionet e pushtetit lokal vendosën që banesa e saj të ishte në kat të parë dhe Liza e kishte pranuar fillimisht. Por sapo nisën shirat e vjeshtës banesa përmbytej. Askush nuk i përgjigjet dhe e moshuara është dënuar të jetojë në këtë mizërie e braktisur nga të gjithë. Sipas saj “atëherë kam marrë këtu kryetarin e komunës që është administrator. I kam thënë hajde e më shiko shtëpinë, unë duke qarë me lot. Erdhi e pa shtëpinë, shtëpia ime ujë dhe m… në çdo cep, me nder jush. Këto ujërat e zeza thonë këta të komunës se është niveli është më poshtë shtëpia ime se ajo me shku ujët, Të hyjë uji deri këtu”.

“Vetting” ka kërkuar një prononcim nga kryetarja e njësisë Thumanë, për këtë problematikë, por ajo ka refuzuar duke argushtëpia ime se ajo me shku ujët, Të hyjë uji deri këtu”. “Vetting” ka kërkuar një prononcim nga kryetarja e njësisë Thumanë, për këtë problematikë, por ajo ka refuzuar duke argumentuar se në zyrën e saj pret vetëm qytetarë jo gazetarë.

Kryetarja e njësisë: Puseta e ujërave të zeza është mbi nivelin e apartamentit

Liza – A është banueshme apo nuk është e banuar shtëpia? Dhe në qoftë se shtëpia ime është e pabanueshme më thuaj ose do ta ndërroj ose nuk do ta ndërroj?

Administratorja e njësisë Thumanë – Atëherë dokumentacioni që disponoi unë, për rastin tuaj. Me datën 28 Shkurt 2023 kemi ardhur tre persona Lulzim Kryqi, Agim Farubi, Grisela Mana dhe kemi mbajtur një proces – verbal tek shtëpia jote. Në pallatin 14, konkretisht në apartamentin e përfituar nga zonja Liza Tuci, me të dhënat pallati Nr. 14, Shkalla numër dy, kati numër zero, apartamenti numër katër. Me datë 17.03.2023 u krye konstatimi në terren dhe u konstatua si vijon: Në pallatin Nr.14 është bllokuar puseta e shkarkimit të ujërave të zeza dhe ujërat e zeza janë kthyer mbrapsht brenda apartamentit të zonjës Liza Tuci.

Në hyrjen e shkallës Nr. 2 të pallatit Nr.14 u konstatua lagështirë me ngjyrë myku në brezin e poshtëm të murit. Në këtë shkallë ndodhen edhe dy apartamente banimi njëri me përfituese zonjën Liza Tuci dhe tjetri me përfitues Mereme Maksudaj. Në këtë shkallë ndodhen gjithashtu ashensori, kasetat e matësit të ujësjellësit dhe elektrikë, dhoma teknike e pallatit, gjithashtu janë kthyer mbrapsht brenda ujërat e zeza dhe ambienti i brendshëm i shkallëve të korridorit mban erë të rëndë lagështire, pra e kemi konstatuar. Brenda në shtëpinë e Liza Tucit u konstatua lagështirë me ngjyrë myku, në pjesën e poshtme në murin e banesës. Në dyshemenë e tualetit u konstatua ujë i ndenjur që nuk shkarkohet nga pileta e shkarkimit, pasi pileta e shkarkimit të piletës në tubacionin e shkarkimit është mbi nivelin e dyshemesë së pallatit.

Pra, banja nuk thith ujin e shprehur me fjalë më të thjeshta. Jashtë banesës u konstatua puseta kryesore e shkarkimit të ujerave të zeza të pallatit Nr.14 e cila vizualisht shihet se është mbi nivelin e shkarkimit të pallatit dhe mbi nivelin e tokës. Ujërat e zeza dalin në apartamentet e përshkruar më sipër, tek ashensori, tek dhoma teknike, dhe tek kasetat e matësve të ujit dhe elektrikut. Këto dokumente i kam nisur tek drejtori e urbanistikës në Bashkinë Krujë. Numri i protokollit dhe data 28.02.2023. Ka për detyrim t‘i bëj komunikim zyrtar ose të ja dërgojë gjithë dokumentacionin tim firmës së ndërtimit që ka kryer punimet tek pallati.

Liza – Unë dua ta di; ajo shtëpi është e banueshme apo nuk është sipas teje

Administratorja e njësisë Thumanë – Nuk e jap dot unë atë përfundimin, as nuk të them do ta ndërroj, as nuk të them dot se shtëpia është e pabanueshme.

Prej dy vitesh Liza endet sa në Thumanë e në Krujë, për të takuar kryebashkiakun Artur Bushi, i cili i ka premtuar se do t‘i ndërrojë banesën. Sipas Liza Tucit “kërkesa ime është të më japin shtëpinë time. Kjo nuk është shtëpi banimi. Bëra 2 vite që kërkoj Artur Bushin, se më ka thënë do ta ndërroj, burrash do ta ndërroj. Unë nuk mundet të them se më ka thënë jo, më ka thënë po, po e bëra me të thënien janë larg. Po të paktën të dalë të thotë ça është kjo plakë që më vjen në komunë. në bashki”. Kjo banesë në të cilën Liza jeton prej më shumë se një viti na tregon anën tjetër të abuzimit me rindërtimin, por edhe braktisjen e qytetarëve nga institucionet shtetërore.

Çfarë ndodhi me fondet e rindërtimit

Por cilat janë arsyet që këto familje vazhdojnë të jetojnë në kontejnerë apo në banesa me qira? Apo në banesa të rindërtuara pa asnjë standard? Çfarë ndodhi me programin dhe fondet e rindërtimit i shtrirë në pesë vite. Pak javë pas goditjes së tërmetit, kryeministri Rama organizoi një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë nga goditja e tërmetit. Të gjitha vendet e BE-së u angazhuan në ndihmë të Shqipërisë. Në Konferencën e Donatorëve Shqipëria siguroi 1.15 miliardë euro. Përveç kësaj shume, Bashkimi Evropian u angazhua për rindërtimin e 63 objekteve arsimore, i shtrirë në 2 faza zbatimi, me një fond prej 75 milionë eurosh.

Pas kësaj konference kryeministri Rama ngriti një ministri të dedikuar që do të alokonte këto fonde. Do të quhej ministria e Rindërtimi. Në krye të saj u vendos Arben Ahmetaj. Nisi puna bashkë me premtimet për afate finale kur supozohej që asnjë banorë të mos ishte më jashtë banesave të premtuara brenda një kohe të caktuar. Afati i fundit ishte premtuar viti 2022 kur supozohej që çdo banor i dëmtuar nga tërmeti do të ishte në banesën e rindërtuar. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në tetor 2021 në parlament deklaroi “për sa i përket rindërtimit janë 33000 familje. Është hera e parë që një forcë politike bën kaq shumë për qytetarët. Janë mbi 50 pallate të dëmtuara dhe Durrësi është vendi i parë që përfiton me të drejtë sepse vuan më shumë. Kanë filluar investimet dhe ju informoj se janë 1049 familje që do futen në shtëpi me datën 25 nëntor 2021 dhe në fund të shtatorit të vitit tjetër kemi mbaruar çdo gjë me rindërtimin”!

“Vetting” ka analizuar buxhetin e shpenzuar për rindërtimin brenda këtyre pese viteve. Nga hulumtimi i dokumentacionit rezulton se rindërtimi pati një buxhet prej 80 miliardë lekësh ndërmjet viteve 2020-2023, ndërsa të tenderuara pa TVSH janë 96.65 miliardë lekë për 859 tenderë. Në këtë episod do të përqendrohemi tek procesi i tenderimit për ndërtimin e banesave në Thumanë. Po cilat janë kompanitë që punuan për rindërtimin në Thumanë, lidhjet e mundshme me pushtetin dhe abuzimet me fondet? Më 15 shkurt 2021, Bashkia Krujë do të njoftonte hapjen e garës për tenderin “Ndërtimi i Atrium Center Thumana” me fond limit 220 milionë lekë ose 2.2 milionë euro. Ky objekt me emërtim “ATRIUM CENTER THUMANA” do të ishte një godinë publike me shërbime administrative, shëndetësore, kulturore me një kat dhe do të ofronte të gjitha shërbimet e nevojshme të një qendre të urbanizuar.

Madje fillimisht, në dhjetor 2020, me Vendim të Këshillit të Ministrave një pjesë e këtij fondi me vlerë 40 milionë lekë ose 400 mijë euro do t`i transferohej Bashkisë Krujë në formën e transfertës së pakushtëzuar. Më prill 2021, Bashkia Krujë nëpërmjet procedurës së kufizuar do të shpallte fitues kompaninë “ALESIO-2014” në pronësi të Anton Gjinajt me ofertë fituese pothuajse sa fondi limit me vlerë 2.2 milionë euro. Sipas Agron Haxhimali, kryetar i Institutit të Bashkive “grupe të ndryshme interesi influencuan fuqishëm në interes të pushtetarëve qoftë lokal, qoftë qendror sikurse dhe të dyja pushtete qendrori dhe lokali përpiqen të kanalizojnë me manovrat e tyre tek interesat e tyre. Këtu në fakt janë dy interesa ai ekonomik dhe ai që është vënë re për tu përqendruar në zona të caktuara elektorale”. Si kundër edhe pushteti qendror dhe lokal, të dy me manovrat e tyre, përpiqen të kanalizojnë investimet tek grupet e tyre të interesit. Por kush është fituesi i këtij tenderi?

Kompania “Alessio 2014”, një nga kompanitë e ndërtimit që është kontraktuar nga institucione të ndryshme publike, që ka punuar edhe si nënkontraktor në ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të ndryshme publike. Prokuroria e Posaçme ka dyshime se të ardhurat janë krijuar nga aktivitetet kriminale të pronarit, Anton Gjinaj, i cili është dënuar për drogë në Spanjë dhe që për rrjedhojë, duhet të konfiskohen për llogari të shtetit. Në korrik 2023, SPAK njoftoi se kishte dërguar disa kërkesa për konfiskim në gjykatë për kompani, prona të paluajtshme apo llogari bankare, në bazë të ligjit “Antimafia” për këtë subjekt. Ky konfiskim i pasurisë realizohet pas sekuestrimit të përkohshëm, i cili është vendosur për rreth 23 asete të Anton Gjinaj që në vitin 2022. Gjinaj nëpërmjet kompanisë “ALESIO-2014” dhe bashkimeve me kompani të tjera ka marrë rreth 20 milionë euro prokurime publike dhe evidentohet në padinë e dorëzuar në SPAK nga Partia Demokratike së bashku me kompani të tjera për Programin e Rindërtimit.

******

Rindërtimi, dy firmat e “preferuara”, përfituese të parave të inceneratorëve

Në Thumanë të Krujës, tërmeti i nëntorit 2019 dëmtoi dy shkollat e rikonstuktuara pak javë para tërmetit. Askush nuk analizoi arsyet pse shkollat u dërrmuan edhe pse ishte ndërtesa të reja.

Pa asnjë shpjegim, ato u përfshinë në fondin e rindërtimit për objektet arsimore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Më 17 mars 2020, Fondi Shqiptar do të hapte thirrjen për minikonkursin me tenderin për “Rindërtimi i shkollës 9- vjeçare dhe parashkollori Larushkë “Hajdar Hoxha” dhe Rindërtimi i Shkollës 9- vjeçare dhe Kopshti “Gjon Luka” Luz me fond limit 199 milionë lekë ose 2 milionë euro në Bashkinë e Krujës. Në garë do të merrnin pjesë mbi 20 kompani, por fitues do të shpallej bashkimi i kompanive “Shijaku & Co 1 Rroku Konstruksion Tirane & Infrakonsult” me ofertë fituese 187 milionë lekë ose 1.87 milionë euro, i cili do të lidhte kontratën në gusht 2020 me FSHZH. Por ky nuk do të ishte i vetmi tender që do të përfitonin këto kompani pasi do të merrnin edhe fonde të tjera nga Rindërtimi, që lidhen me ndërtimin e pallateve të banimit.

Dy muaj pas lidhjes së kontratës për objektet arsimore, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të çelte tenderin Minikonkursi Nr. 11 për “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për zonën e re për zhvillim Thumanë, Paketa B, Objektet 11, 12, 13, 14, njësia administrative Thumanë, Bashkia Krujë” me procedurë të kufizuar me fond limit 454 milionë lekë ose 4.5 milionë euro. Me ofertë sa fondi limit do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive “Shijaku & Co 1 Rroku Konstruksion Tiranë” me vlerë 4.5 milionë euro. Kompania “Co 1 Rroku Konstruksion Tiranë” është në pronësi të Jozef, Pranvera dhe Andreina Çaushi ndërkohë që “Shijaku” shpk është në pronësi të Shpëtim, Bilal dhe Petrit Shijakut.

DYSHIMET E SPAK

Në dosjen hetimore të SPAK për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj evidentohet se kompania “Shijaku” shpk është një prej nënkontraktorëve që ka fituar kontrata me dhjetëra miliona euro për ndërtimin e inceneratorëve. Sipas informacioneve të publikuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar, rezultoi se kompania e Shpëtim Shijakut ka përfituar mbi 100 transferta me vlerë rreth 1 milion euro nga kompanitë me pronarë Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin deri në vitin 2021. Por Prokuroria ka dyshime për lidhjet mes këtyre biznesmenëve, duke aluduar se “Shijaku” shpk në pronësi të Shpëtim, Bilal dhe Petrit Shijakut në të paktën një rast, duhet të jetë përdorur si mbulim për përfitimet e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për aferën e inceneratorëve.

Dy rastet e evidentuara nga materiali hetimor i SPAK lidhen me shitjen e skrapit e çelikut të kompanisë ish-Termocentrali i Fierit dhe rasti tjetër me impiantin e pastrimit në Shkumbin. Me ardhjen e Partisë Socialistë në pushtet në vitin 2013, Arben Ahmetaj do të emërohej ministër për Zhvillimin e Sipërmarrjes, duke patur në ngarkim proces likuidimin e kompanisë “Petrol Alba”. Në këtë rast Ahmetaj emëron likuidator të saj Artan Gjokaj, i cili sipas SPAK është miku i tij i ngushtë dhe me fillimin e likuidimit i propozon ish ministrit shitjen e skrapit dhe çelikut me vlerë 1 milion euro. SPAK thotë se “Pavarësisht se palë kontraktore në këtë marrëdhënie shfaqet shoqëria “Shijaku” shpk në fakt pas kësaj shoqërie, qëndrojnë pikërisht miqtë e shtetasit Arben Ahmetaj. Ky konkluzion lexohet nga provat e administruara”.

Para disa javësh emisioni “Vetting” denoncoi me prova dhe fakte abuzimet me fondet e rindërtimit në Bashkinë Durrës, ku sipas informacioneve kompanitë fituese të tenderave kishin braktisur punimet. Ky fakt kishte detyruar qytetarët të riparonin vetë me buxhetin e tyre apartamentet e një pallati të dëmtuar nga tërmeti edhe pse qeveria kishte akorduar miliona lekë për riparimin e tij. Bonusi i qirave të banesave ka mbi një vit që u është ndërprerë qytetarëve, që akoma nuk kanë marrë banesat e premtuara nga ana e Qeverisë. Këto pallate besohet se janë përfunduar dhe banorët presin me shpresë dita ditës që dikush të vijë tu dorëzojë çelësat.

Por kanë kaluar muaj dhe askush nuk i përgjigjet thirrjeve të tyre. Ata janë shpërndarë në zona të ndryshme ku jetojnë prej pesë vitesh me qira në pritjeje për të hyrë në banesat e tyre. Përgjatë këtyre pesë viteve, janë zhvilluar dy palë zgjedhje, parlamentaret e vitit 2021 dhe lokalet e vitit 2023. Në të dyja fushatat, janë dhënë çelësa banesash. Ndoshta këta banorë do të duhet të presin edhe pak muaj deri në ditët e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Do tu duhet edhe një dimër të rrinë nëpër kontejnerë apo shtëpi me qira ku janë rregulluar këto kohë me shpresën se do të jetë dimri i fundit./Gazeta Panorama

Postime të lidhura