zoom

Lajme

“Ku e keni shefin?”/ Një grup serbësh bllokojnë televizionin opozitar në Beograd

Një grup prej rreth njëqind personash të panjohur u mblodhën para hyrje në zyrave të televizionit N1 në Beograd, njoftoi kjo media.

Personat e mbledhur mbanin pankarta ku shkruhej “Ku e keni shefin” dhe brohoritën “Nuk do ta dorëzojmë Serbinë”, duke mos lejuar që askush të hyjë apo të dalë nga televizioni.

N1 njoftoi se nuk dihet se pse këta persona u mblodhën pranë zyrës së këtij televizioni. Rreth 20 minuta pas tubimit të këtyre personave, policia serbe doli në vendngjarje.

Media opozitare N1, raportoi se në mesin e protestuesve ishin Ivan Siler, ndihmës i kryetarit të Novi Sadit, si dhe Predrag Vulletiq, sekretar për politikën sociale, demografinë dhe barazinë gjinore në Provincën Autonome të Vojvodinës, si dhe Mirosllav Rodiq, deputet në Parlamentin e Vojvodinës.

Ata janë zyrtarë të Lëvizjes Socialiste, parti e themeluar nga zëvendëskryeministri prorus i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane, veç tjerash, për lidhjet e tij me Rusinë.

Lëvizja Socialiste është partnere e vogël në koalicionin qeverisës të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Drejtori i programacionit në N1, Igor Bozhiq, tha se nuk e di kush janë personat që bllokuan hyrjen në ndërtesë, por theksoi se ata shkuan aty në mënyrë të organizuar.

Bozhiq tha se N1 nuk ishte në dijeni se ishte paralajmëruar një tubim i tillë, por fakti që policia doli në vendngjarje pas arritjes së protestuesve, sipas tij, tregon se autoritetet ishin të informuara.

Ai shtoi se “figurat kryesore të regjimit”, pas bllokadës së Radio Televizionit të Serbisë kishin pyetur se kur do të bllokohej N1.

“Kjo është një përgjigje e qartë e regjimit. Është e dukshme që po tentohet të largohet vëmendja nga ngjarjet që lidhen me protestat studentore dhe që regjimi përpiqet të tregojë se problemin nuk e kanë vetëm me mediat proqeveritare, por edhe me ato të pavarura”, tha Bozhiq.

Ai shtoi se N1 nuk do të ftojë protestuesit në studio sepse zyrtarët e pushtetit në Serbi nuk pranojnë të vijnë në N1, edhe pse “i kemi ftuar shumë herë”.

Studentët më 10 dhe 11 mars për 22 orë bllokuan ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, në qendër të Beogradi, duke kërkuar raportim objektiv mbi protestat.

Për muaj të tërë, studentët po protestojnë në Serbi për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Studentët protestues kanë paralajmëruar një protestë të madhe në Beograd më 15 mars.

Që nga dhjetori, studentët kanë bllokuar fakultetet shtetërore dhe kanë udhëhequr protesta paqësore në mbarë Serbinë.

Postime të lidhura