zoom

Politikë

“Kriza ka mbërthyer për fyti çdo familje”/ Basha akuza Ramës: Vetëm ryshfeti u kushton shqiptarëve 500 milionë euro në vit

Kryedemokrati Lulzim Basha hodhi poshtë sot pretendimet e Edi Ramës, për një krizë energjetike, ndërsa denoncoi se tre tenderat e fundit të blerjes së energjisë tregojnë se energjia është blerë disa herë më shumë se çmimi në bursë.

Sipas Bashës, energjia elektrike është blerë nga qeveria shqiptare 10 milionë euro më shumë se sa duhej të blihej me çmimin referues që ka në bursë.

Teksa pyet se ku shkojnë këto para, Basha tha se kemi të bëjmë me një skemë korrupsioni.

“Janë miliona euro që dalin nga xhepat e qytetarëve. Përpara interesit të njerëzve Edi Rama ka zgjedhur luftën personale. Përpara interesit të njerëzve ka vendosur babëzinë e tij. Vetëm ryshfeti ndaj këtij shteti nga niveli më i ulët dhe niveli më i lartë u kushton shqiptarëve 500 milionë euro në vit. Raporti ndërkombëtar na rëndit në botë të dytin pasa Zambias Afrikane. Pas kësaj vjen Shqipëria e Ramës, për ryshfet. Kjo shifër është 3 herë më e larta nga sa ishte në vitin 2013, kur morën pushtetin, Këto edhe shumë plagë të tjera nuk janë thjesht kauza normale të opozitës por janë plagë për qytetarët që rropatën për të nxjerrë bukën e gojës. plagë për të rinjtë dhe të rejat që nuk gjejnë dot punë, sepse këto thagma të krijuara nga kjo pakicë e korruptuar e bëjnë të pamundur të krijojnë vende pune.

Ndaj çdokush që ka dëgjuar që posedon zgjuarsinë e shqiptarit nuk mund të gënjehet, kjo nuk është krizë energjike, po kriza e korrupsionit e babëzisë dhe e keqmenaxhimit të kësaj qeverie”, tha Basha

Sipas Bashës, Rama e refuzoi planin 7 pikësh të PD, pasi ka plan që të vjedhë shqiptarët.

“Borxhi formalisht ka shkuar në 80% të prodhimit të brendshëm bruto, me PPP-të shkon në 100%. Ai kërkon të merreni me batuta me gjithçka të mundshme vetëm për të hequr vëmendjen nga fakti se falë tij buka që blini sot është më e shtrenjtë, energjia dhe karburanti është më i larti në rajon dhe kriza ka mbërthyer për fyti çdo familje shqiptare. Në një vend normal, politikanët marrin përgjegjësi. Nëse ai kreu masakrën zgjedhore me iluzionin se kështu mund t’i ikte përgjegjësisë, është detyrë e jona që të qëndrojmë përballë kësaj fatkeqësie kombëtare që quhet qeveria e Edi Ramës. Rëfuzoi planin tonë racional, sepse ai ka planin e tij për të vjedhur dhe për të varfëruar Shqipërinë e shqiptarët”, tha Basha.