Aplikacion
Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze ka finalizuar një operacion kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.
Kreu i SPAK, Altin Dumani në një konferencë të përbashkët për shtyp për autoritetet finlandeze ka dhënë detaje për operacionin. Dumani bëri me dije se janë goditur disa grupe kriminale përgjegjës për trafikimin e sasive të mëdha të drogave të ndryshme.
Dumani: Krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën. Kemi goditur disa grupe kriminale të cilët janë përgjegjës për trafikimin e drogave të ndryshme, si droga sintetike, kokainë, marijuanë, etj,. Ky hetim është rezultat i një pune të gjatë.
Komisari për krimin në Finlandë, i pranishëm në konferencë shprehu falenderimin për të gjithë personat që morën pjesë në këtë operacion të përbashkët.
“Dua të komplimentoj SPAK për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë nisi një hetim në shkallë të gjerë në Finlandë i cili u konkludua me arrestimin e 55 shtetasve. Kemi sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike e cila u trafikua nga Spanja dhe Holanda. Nga sasia totale, rreth 170 kg kanë qenë amfitaminë, 10 kg kokainë, 100 kg marijuanë, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi në Finlandë rezultoi që drejtuesi kryesor i këtij grupi ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria”, tha ai.