zoom

Aktualitet

KQZ regjistron koalicionin “Shtëpia e Lirisë” pa Sali Berishën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të regjistrojë koalicionin e vetëm në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Ky koalicion do të ketë në përbërje dy parti politike, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane. Komisioneri Ilirjan Celibashi hoqi si subjekt të koalicionit grupin e deputetëve të Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, pas kërkesës së përfaqësuesit ligjor të kësaj të fundit, Marash Logu.

“Lidhur me përmbajtjen, me pjesën materiale thelbësore të pretendimit të PD-së, vlerësoj se pretendimi qëndron. Konkretisht, sa u përket disa aspekteve identifikuese, qoftë politike, por edhe zgjedhore, të koalicionit.

Vlerësoj se nuk qëndron kërkesa për ta kthyer për plotësim, pasi do të ishim në këtë situatë nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës për të legjitimuar kërkesën nga pikëpamja e Kodit Zgjedhor. Ne i kemi të gjitha elementet dokumentare. Jemi në situatën kur kërkesa në përbërje të saj reflekton konfliktualitet, sipas përcaktimeve të nenit 65 dhe 66 të Kodit Zgjedhor, në interesat e ligjshme të një subjekti tjetër zgjedhor. Ndaj, kërkesa për të përfshirë në simbole, në sigla apo edhe në thelb elemente që lidhen me PD-në nuk mund të pranohet”, tha Celibashi.

Kërkesa

Por Zoti Celibashi refuzoi kërkesën e Marash Logut që të ktheheshin dokumentet për plotësim. “Përveç anës procedurale, është elementi i anës materiale. Nga leximi që i kemi bërë kërkesës dhe marrëveshjes citohet: emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” dhe në përbërje ka LSI-në, PD-Komisioni i Rithemelimit dhe PDK-në. Ndërkohë, në marrëveshjen e koalicionit thuhet se drejtuese politike është Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Më tej, në faqen tre të marrëveshjes thuhet se marrëveshja është nënshkruar nga Flamur Noka. Vullnetin e një partie politike për koalicion nuk e shpreh kushdo, por kryetari i PD-së ose personat e autorizuar prej tij.

Në emër të PD-së është e qartë se kryetari i PD-së është i vetmi person për të paraqitur kërkesa për koalicion dhe për të paraqitur kandidatura. Nga ana e PD-së nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë lloj kërkese për të qenë pjesëmarrëse, drejtuese politike apo udhëheqëse në ndonjë koalicion. Çdo lloj reference që është bërë në këtë shkresë ndaj PD-së është në kundërshtim me ligjin. Nuk ka as në Gjykatën e Tiranës dhe as në KQZ një subjekt zgjedhor që quhet Partia Demokratike – Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Ndaj referenca në shkresë i referohet PD-së”, kërkoi Logu.

Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Altin Kaziaj, me të cilën do të garojnë kandidatët e dalë nga procesi i primareve me anëtarët e PD-së, tha se këto janë recitime të një partie humbëse. Ndërkaq, komisioneri Celibashi rrëzoi pretendimin e përfaqësuesit të PD-së për të mos pranuar kërkesën e LSIsë për të regjistruar koalicionin me argumentin se kërkesa është bërë para se LSI të regjistrohej vetë si parti pjesëmarrëse në zgjedhje.

“Ne konsiderojmë që duke arsyetuar përfaqësuesit e PD për legjitimitetin e kërkesës, i parë ky legjitimitet në raport me afatin. Ne këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot. Dhe LSI sot është e regjistruar si subjekt zgjedhor. Kërkesa e përfaqësuesit të PD-së ka logjikë, por nuk ka bazë ligjore. Jemi duke shqyrtuar në këtë moment një kërkesë të rikonfirmuar nga përfaqësuesi i LSI-së të interesit të tyre për të regjistruar një subjekt zgjedhor. Në vlerësimin tim ka legjitimitet të plotë”, tha Celibashi.