Aplikacion
Pas disa javësh të mbushura me negociata dhe diskutime mes mazhorancës dhe opozitës, socialistët dhe demokratët kanë arritur një marrëveshje për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Konsensusi u finalizua në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, vetëm pak orë përpara votimit në seancën plenare. Marrëveshja vjen pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndryshimet e mëparshme të miratuara vetëm me votat e mazhorancës, duke argumentuar se ishin cenuar të drejtat e deputetëve të opozitës dhe parimi i demokracisë përfaqësuese.
Drafti i ri u ndërtua mbi kompromis mes dy palëve, ku secila prej tyre arriti të ruajë disa prej interesave kryesore politike dhe parlamentare.
Partia Socialiste siguroi mbajtjen e arkitekturës së re parlamentare me 11 komisione të përhershme, duke mos pranuar rikthimin e Komisionit të Integrimit Europian, që më herët drejtohej nga opozita.
Në draftin e ri, Partia Socialiste ka hequr dorë nga disa propozime të debatueshme, mes tyre kufizimi i kohës së diskutimeve në Kuvend, një kërkesë që ishte kundërshtuar fort nga opozita.
Socialistët janë tërhequr nga propozimi i tyre që fjala e deputetëve të shkurtohet në 5 minuta, duke e lënë kohën e fjalimeve 10 minuta siç është sot.
Po ashtu, procedura e përshpejtuar për miratimin e ligjeve të integrimit europian nuk do të zbatohet automatikisht, por vetëm në raste të argumentuara nga qeveria dhe vetëm kur ka një afat konkret nga Brukseli.
Një tjetër ndryshim lidhet me raportimin e institucioneve në seancë plenare. Sipas rregullores së re, vetëm institucionet që e kanë detyrim kushtetues do të raportojnë në sallën e Kuvendit. Kjo do të thotë se drejtues të institucioneve si SPAK apo struktura të tjera të pavarura nuk do të paraqiten më në seancë plenare, por vetëm në komisionet parlamentare.
Ndryshimet e reja sjellin edhe një ndarje më të qartë të kompetencave mes Komisionit të Ligjeve dhe komisionit për “Nismat Qytetare”, që drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Institucionet e pavarura do të raportojnë fillimisht në Komisionin e Ligjeve, ndërsa më pas do të paraqiten në komisionin “Xhafaj” për miratimin e rezolutave të Kuvendit.
Në paketën e dakordësuar janë përfshirë edhe disa kërkesa të opozitës që synojnë forcimin e kontrollit parlamentar. Institucionet shtetërore do të kenë detyrimin t’u përgjigjen kërkesave për informacion të deputetëve dhe të marrin pjesë në seanca dëgjimore kur kjo kërkohet nga një e treta e anëtarëve të komisioneve.
Rregullorja e re parashikon gjithashtu që çdo deputet të mund të mbështesë vetëm një kandidat në proceset e zgjedhjes për institucionet e pavarura, ndryshim që erdhi pas debateve të forta për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Po ashtu, janë ndryshuar edhe procedurat e Komisionit të Etikës për masat disiplinore ndaj deputetëve.
Marrëveshja mes palëve konsiderohet një zbatim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkoi respektimin e rolit të opozitës dhe garantimin e të drejtave parlamentare për deputetët e pakicës./ Zoom.al