zoom

Lajme

Konferenca e Kryetarëve, demokratët përplasen me PS-në: Po bëheni pis duke mbrojtur Ballukun!

Konferenca e Kryetarëve, demokratët përplasen me PS-në: Po bëheni pis duke mbrojtur Ballukun!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kritikoi vendimin e Kuvendit për të shtyrë sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ndërkohë që SPAK ka kërkuar autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut, zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera.  

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që po zhvillohet me dyer të mbyllura, Tabaku e cilësoi si një njollë të zezë këtë veprim, duke shtuar se mbrojtja që po i bëhet Ballukut bën pis të gjithë socialistët.

“ Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin.”, tha Tabaku.

Edhe Gazment Bardhi e quajti shkelje “flagrante” të Rregullores.

“E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.

Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur.

Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, tha Bardhi.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i është përgjigjur demokratëve duke thënë se shtyrja e mbledhjes është në përputhje me rregulloren.

“Shtyrja e mbledhjes në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve vlen. Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhjen”.

Postime të lidhura