zoom

Lajme

Konferenca e KAS në Como, Jorida Tabaku: Shqipëria ka nevojë për reforma të vërteta, jo fasada për BE-në

Konferenca e KAS në Como, Jorida Tabaku: Shqipëria ka nevojë për reforma të vërteta, jo fasada për BE-në

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherazi Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, ndodhet në Como të Italisë ku po merr pjesë në një konferencë të rëndësishme ndërkombëtare të organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të CDU, EPP dhe partnerëve të tjerë strategjikë të Shqipërisë.

Në fokus të kësaj konference është pikërisht rruga e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian dhe sfidat e reformave që kërkohen për të garantuar një integrim të suksesshëm dhe të besueshëm.

Tabaku ne kete takim ka kërkuar që procesi të mos mbetet peng i fasadave politike, por të mbështetet në reforma reale, gjithëpërfshirje dhe ndërtim institucionesh të pavarura.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ka ndarë një foto nga takimi me deputetin gjerman Peter Beyer, një ndër njohësit më të mirë të rajonit në Bundestag dhe një mbështetës i vazhdueshëm i integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

Ajo po ashtu ka njoftuar se bashkë me Beyer së fundmi kanë bashkëshkruar edhe një editorial të përbashkët në gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Rundschau, ku kanë artikuluar qartë nevojën për reforma të thella, zgjedhje të ndershme dhe media të lira si elementë thelbësorë për rrugëtimin europian të rajonit.

“Shqipëria ka vetëm një rrugë: reforma të thella dhe të ndershme, me gjithëpërfshirjen e opozitës dhe aktorëve të shoqërisë civile,” – ka deklaruar Tabaku, duke theksuar se çdo reformë e ndërtuar vetëm në funksion të propagandës qeveritare nuk i shërben as qytetarëve dhe as aspiratës europiane të vendit.

Postimi i Tabakut:

Me mikun Peter Beyer, një zë i fortë në Bundestag dhe mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Së bashku në editorialin e fundit kemi ngritur shqetësimin për ngecjen e reformave reale dhe mungesën e gjithëpërfshirjes në proceset që vendosin të ardhmen europiane të rajonit.

Nga Como, ku zhvillohet konferenca e organizuar nga KAS me pjesëmarrjen e CDU dhe EPP, ka një mesazh të qartë:

Shqipëria nuk ka nevojë për fasada reformash, por për transformim real!

Reforma gjithëpërfshirëse, institucionet e pavarura dhe respektimi i standardeve janë rruga e vetme drejt Europës.

Postime të lidhura