Aplikacion
Me lejen e SPAK-ut dhe me ndihmën e drejtorisë së burgjeve, dëshmoi sot për disa orë para komisionit hetimor parlamentar për sterilizimet dhe check up-in shoqëruar nga avokati i tij sipërmarrësi Ilir Rrapaj, njëri prej ortakëve të bashkimit të kompanive që fitoi në fund të vitit 2015 koncensionin e sterilizimit të e pajisjeve kirurgjikale në strukturat spitalore shtetërore 9 vite më parë për 100 milionë euro.
Teksa koncensioni i sterilizimeve spitalore po hyn në vitin e dhjetë dhe të fundit të tij, SPAK-u e ka nisur çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme 9 muaj më parë në dyshimet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe mashtrime nga protagonistët nën akuzë, ndërsa një komision i posaçëm i parlamentit vazhdon hetimin, duke dëgjuar dëshmitë e pjesëtarëve të kësaj çështjeje. Ndërsa 3 shtetasit e tjerë aksionerë në kompanitë fituese italianët Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli refuzuan të merrnin pjesë në mbledhjet e komisionit, sipas kryetares Vokshi.
“Pas takimit me kryeministrin Rama, si kontaktuat, si proceduat me ministrin? Çfarë hapash ndërmorët dhe cili ishte roli juaj në lidhje me takimet e mëtejshme? Këto takime nuk kanë qenë të pakta, por rezulton që kanë qenë të shumta deri në arritjen e asaj marrëveshjes”, iu drejtua zonja Vokshi sipërmarrësit Rrapaj.
Lidhur me këtë koncension 10 vjeçar ish ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet prej SPAK-ut për shpërdorim detyre nga marsi i këtij viti, ndërsa janë nën akuzë të arrestuar ish zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe për mashtrim sipërmarrësi Ilir Rrapaj, i cili ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë që kishte fituar koncensionin.
Rrjepaj dhe Rrapaj janë arrestuar me burg prej afro 15 muajsh, nga mesi i gushti i vitit të kaluar për shkeljet e dyshuara në procedurat e PPP-së së sterilizimit, ndërsa një grup zyrtarësh të komisionit, që vlerësoi ofertën për kontratën e sterilizimit janë nën masa më të lehta sigurie.
Zoti Rrapaj deklaroi sot se ishte krenar që u bë pjesë e një procesi kaq të rëndësishëm të sterilizimeve spitalore sipas standarteve të BE-së.
“Më 9 maj 2016 kirurgjia publike shqiptare ka hyrë në BE, falë standarteve që adoptoi, dhe këtë e them me një ndjenjë kënaqësie dhe krenarie të pashoq”, tha zoti Rrapaj.
Sipas hetimeve, bëhet fjalë për fryrje të shifrave në llogaritjet e kostove të sterilizimit, për të cilat ish ministri Beqaj dyshohet se i ka toleruar dhe nuk ka ndërhyrë për t’i anulluar. Po ashtu zoti Beqaj dyshohet se nuk ka shmangur konfliktin e interesit që doli prej miqësisë së zëvendësit të tij Rrjepaj dhe sipërmarrësi Rrapaj.
Ashtu si zoti Rrapaj edhe zotërinjtë Beqaj dhe Rrjepaj i kanë hedhur poshtë akuzat. Ish ministri Beqaj ka deklaruar ngjashëm se reforma në shëndetësi dhe veçanërisht sterilizimi si procedurë komplekse, e kanë ngritur shërbimin spitalor në nivele të larta profesionale, ku janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe prej të cilës kanë përfituar mbi gjysmë milioni shtetas përmes operacioneve kirurgjikale.
Megjithatë SPAK-u sekuestroi në fillim të këtij viti disa pasuri të sipërmarrësit Ilir Rrapaj; paketa prej 40 përqind e aksioneve të shoqërisë “Sani Service” Shpk, si dhe shoqëria “Investital LLC”, e regjistruar në Agjencinë e Biznesit në Kosovë, përmes të cilës Rrapaj u bë pjesë e konsorciumit, që fitoi koncensionin e sterilizimit, si dhe pronat e kompanisë tjetër të tij “Globalsher”, një apartament, 13 automjete si dhe dy llogari bankare.
Afro një dekadë më parë, koncensioni i sterilizmit u pa me dyshim dhe u denoncua më tej për hapat pazakonta, që po ndërmerreshin, teksa Rrapaj, pa ndonjë përvojë në fushën e shërbimeve spitalore, u shfaq si aksioneri kryesor në konsorciumin e sterilizimit, pasi themeloi në Prishtinë kompaninë e tij “Investital LLC”, por prej vitesh drejtonte një kompani të vogël ndërtimesh në Umbria të Italisë. Kompanisë fituese iu dorëzua një qendër sterilizimi moderne, e cila nuk ishte vënë ende në punë, ndonës eu ndërtua nga qeveria me kredi.
Pjesë e dyshimeve të organit të akuzës është edhe vlera e kontratës, e cila është e lidhur me një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit./VOA
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”