zoom

Slider

Kombëtarja vazhdon stërvitjen, tre futbollistë nuk ishin në dispozicion të trajnerit Sylvinho

Kombëtarja vazhdon stërvitjen, tre futbollistë nuk ishin në dispozicion të trajnerit Sylvinho

Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë, e planifikuar për të enjten në mbrëmje, një sfidë mjaft e rëndësishme në rrugëtimin e kuqezinjve drejt Euro 2024-ës.

Trajneri Sylvinho nxori një listë me 25 futbollistë të ftuar për këtë takim, teksa në Shtëpinë e Futbollit kanë mbërritur deri tani 21 prej tyre, të cilët ishin edhe në dispozicion të stafit teknik në stërvitjen e parë.

Mungonte Ardjan Ismajli, që u konfirmua zyrtarisht se nuk do të vijë për shkak të një dëmtimi, por edhe Klaus Gjasula, i cili ka një infeksion në bajame dhe me shumë gjasa do t’u shtohet mungesave të kuqezinjve për sfidën e të enjtes.

Nga ana tjetër, Mirlind Daku mbërriti vetëm këtë pasdite në Rinas, ndërsa Myrto Uzuni, i cili luajti mbrëmjen e të dielës ndaj Barcelonës, do të mbërrijë në orët e vona të të hënës në grumbullim.

Skuadra u nda në dy grupe, me lojtarët që kanë luajtur të premte e të shtunë, që morën ngarkesë të plotë dhe ata që kanë luajtur të dielën, me një shkrydhje të lehtë dhe punë në palestër.

Në këto kushte, e marta do të jetë seanca e parë me grupin e plotë për Sylvinhon, që do të kryejë vetëm tre seanca në total, deri në ndeshjen e të enjtes në mbrëmje ndaj Çekisë, një sfidë ku Shqipëria do të kërkojë fitoren, për të vënë një këmbë në Euro 2024. /zoom.al/