zoom

Aktualitet

Klodian Zoto kërkon pafajësinë në gjykatë: Nuk e njoh Arben Ahmetajn

“Përfundimisht nuk guxoj të them që Klodian Zoto është burrë i mirë se nuk me ka lejuar media ta them diçka të tillë”, – kështu është shprehur në gjykatë avokati Ardian Leka për të mbrojturin e tij, administratorin e AlbTech Energy, Klodian Zoto, i cili është në arrati.

Seanca e mbrojtjes u shoqërua me ironi nga ana e avokatit Leka, i cili u shpreh i bindur se vendimi do të jetë i anshëm, duke shtuar se klienti i tij nuk njihet me ish-ministrin Arben Ahmetajn, të vënë nën akuzë.

“Nuk kam asnjë shpresë për një gjykim të paanshëm, pasi është paragjykuar dosja pas publikimit mediatik. Për të njëjtën çështje, ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë i hoqi imunitetin një deputeti dhe provat janë marrë të mirëqena nga Komisioni i Mandateve. Fajësia është shpallur publikisht. Të pandehurit nuk njihen me njëri-tjetrin, Klodian Zoto, përveçse Mirel Mërtirit që e ka patur bashkëpunëtor, nuk njihte njeri tjetër”, shtoi ai.

Leka pati një përgjigje edhe ndaj gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme.

“Komisioni mund të ketë marrë vendim të ligjshëm dhe këtu akuzohen anëtarët se “kanë menduar gabim”. Nëse është kështu, Komisioni është hallka e fundit, në fund vendos Këshilli i Ministrave. Edhe ata paskan menduar gabim, por pse s’janë këtu atëherë? Kush janë aktet që e bëjnë vendimin e koncesionit të paligjshëm? Vendimet janë ekzekutuar, janë marrë me Vendim të Këshillit të Ministrave. Pse na duhet t’i marrim leje SPAK-ut për të ekzekutuar vendime tashmë?”, u shpreh avokati.

Mbrojtja e Zotos kërkoi pafajësi, duke theksuar se ai ka dhënë konsulencë, madje ai shtoi se në shkresat zyrtare i drejtoheshin si avokat.

Nderkohe sot përmbyllën konkuzionet e mbrojtjes edhe kryetari i komisionit të prokurimit, Pëllumb Abeshi dhe dy anëtarët e Serafin Papa dhe Bardhyl Çabiri. Të tre i bënë apel gjykatës së posaçme për pafajsi ose dënimin me shërbim prove.

Në 27 korrik pritet të bëjë mbrojtjen e tij pronari i djegësit të Elbasanit, Mirel Mërtiri dhe bashkëjetueses sw tij Stela Gugallja.