zoom

Sport

Kampionati u fitua, por 4 lojtarë të Interit bëjnë gati valixhet. Zbulohen emrat

Interi mbylli llogaritë e titullit kampion, 5 javë para fundit të sezonit në Serinë A dhe krahas festës, drejtuesit kanë nisur të mendojnë për skuadrën me të cilën do të përfaqësohen në edicionin e radhës, ku natyrisht ambiciet dhe përgjegjësitë janë më të mëdha.

Deri tani është konfirmuar firma me sulmuesin iranian Mehdi Taremi dhe mesfushorin polak Piotr Zielinksi, që vijnë me parametra zero, pasi u ka përfunduar kontrata me Porton, përkatësisht me Napolin.

Ndërkohë, media pranë klubit zikaltër bën me dije se janë të paktën 4 futbollistë të skuadrës kampione të Italisë, që po bëjnë valixhet gati për t’u larguar nga Interi në fund të këtij sezoni. Bëhet fjalë për Aleksis Sançez, Huan Kuadrado e Stefano Sensi.

I pari pritet të largohet pasi është aktivizuar me pikatore dhe me ardhjen e Taremit, do të ketë edhe më pak hapësira. Kuadrado erdhi me bujë, por luajti shumë pak edhe për shkak të dëmtimeve të shpeshta, teksa zikaltrit i kanë komunikuar vendimin për ët mos rinovuar më kontratën që skadon më 31 maj, edhe për faktin që tashmë kanë afruar kanadezin Tajon Bukanan.

Sensi nuk bën pjesë në planet e Inzagit, andaj nuk do të rinovojë, për të vijuar karrierën si lojtar i lirë. Në të njëjtën rrugë është edhe mesfushori holandez Davy Klasen, që ka një kontratë 1+1, me Interin.

Në dyshim është edhe portieri Emil Audero, i cili ka bërë numrin 2 gjatë këtij sezoni. E ardhmja e tij varet nga braziliani Bento, të cilin Interi po provon ta marrë në Milano. /ZOOM.AL/